E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han “skanon” Superligën dhe përgatit 60-vjetorin



Pas humbjes së papritur në Hungari (2-0) e barazimit madhështor në Portugali (0-0), trajneri i ekipit përfaqësues të Shqipërisë, holandezi Ari Han, të shtunën do të jetë në Shqipëri, ku media vendase do ta ketë në qendër të vëmendjes. Qëllimi i vizitës në Tiranë të ish-trajnerit të Kinës e Kamerunit, sipas fshf.org, do të jetë vëzhgimi i ndeshjeve të kampionatit kombëtar të Superligës dhe kontakti me zyrtarë të FSHF-së për të rakorduar planet në lidhje me miqësoren e 19 nëntorit kundër Azerbajxhanit dhe planet për të ardhmen. Dy ndeshjet e ardhshme zyrtare janë ato kundër Maltës në transfertë, më 11 shkurt e Hungarisë, më 28 mars në Tiranë. Në dy takimet e para me këta kundërshtarë, ndaj Maltës fituam në Tiranë (3-0, golat nga Bogdani, Duro, Dallku) e me Hungarinë humbëm 2-0 në Budapest, që janë njëherësh edhe dy golat e pësuar nga Arjan Beqaj në katër takime zyrtare. Ia vlen të kujtojmë një fakt, se më 16 nëntor ish-lojtari i Ajaksit legjendar do të mbushë 60 vjeç. Kështu që 2-herë nënkampioni i botës me Holandën (1974, 1978), natyrisht që dëshiron ta festojë me një fitore kundër Azerbajxhanit tri ditë më pas. Shqipëria në katër ndeshjet zyrtare eliminatore të Botërorit 2010 ka grumbulluar katër pikë, ku spikasin dy barazimet e mëdha me Suedinë (0-0) në Tiranë dhe Portugalinë (0-0) në Bragë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë do të ndjekë një takim të kampionatit kombëtar të Superligës, ditën e shtunë. Ndoshta mund të jetë ndeshja Vllaznia-Elbasani, që Han mund të ndjekë të shtunën. Te Vllaznia luan Elvin Beqiri e te Elbasani mbrojtësi Endri Vrapi, ky i fundit bëri një figurë shumë të mirë në ndeshjen me Portugalinë, teksa hyri si zëvendësues i Erion Bogdanit në pjesën e dytë. Të dielën, tri herë fituesi i Ligës së Kampioneve do të ndjekë takimin Tirana – Besa, që është edhe objektivi kryesor i vizitës së tij në Shqipëri dhe do të kontaktojë me specialistë të FSHF-së. Te Tirana luajnë aktualisht dy lojtarë të përfaqësueses shqiptare, mbrojtësi Andi Lila e mesfushori Ansi Agolli, ndërsa te Partizani aktivizohet mesfushori Elis Bakaj.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›