Tirana: “Ndaj Besës tri pikë për arratisjen e madhe”
Rekordmenët shqiptarë zhvilluan në Pukë një ndeshje më shumë me karakter festiv në barazimin 1-1 me Tërbunin në Kupën e Shqipërisë, por në formacionin bardheblu (me pesë mungesa titullarësh) u pa në fushë një emër i njohur: mbrojtësi Rezart Dabulla. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë e Shkumbinit ka munguar në pesë javët e fundit të kampionatit (u dëmtua në ndeshjen kundër Partizanit, java e 3-të) dhe shpreson se do të jetë në fushë të dielën kundër Besës së vendit të dytë (4 pikë më pak se Tirana kryesuese). Një fitore ndaj Besës do të provokonte një riarratisje të Tiranës, por një humbje me formacionin kavajas do ta reduktonte diferencën në vetëm 1 pikë. Dabi e di objektivin e skuadrës. Marrjen e tri pikëve pavarësisht nga kundërshtari. Tirana është e vetmja skuadër pa humbje dhe me 100 për qind të pikëve të marra në shtëpi.
BESA - Të gjithë e kanë kuptuar se brenda Ilir Dajës gjendet një teknik me cilësi të mëdha. Faktet i japin të drejtë: dy skuadra të cilat ai ka drejtuar janë shpallur kampione, Elbasani në sezonin 2005-2006 dhe Dinamo në sezonin 2007-2008.
Besa e Kavajës në të gjithë historinë e saj futbollistike më shumë se 80-vjeçare ka fituar vetëm një Kupë të Shqipërisë, por tashmë presidenti Nexhat Bizhdili në festën e 45-vjetorit të lindjes së tij (përkoi me fitoren kundër Vllaznisë) ka ëndërruar edhe titullin. "Berluskoni" kavajas kur fitoi Kupën e Shqipërisë (2007) pohoi se tani kishte ardhur koha për të fituar edhe një kampionat. Besa do të përballet të dielën në "Selman Stërmasi" me Tiranën kryesuese dhe një fitore do të thoshte shumë në ecurinë e saj në kampionat. Në tri përballje jashtë fushës, Besa ka fituar 2 e ka humbur 1. Daja pohon se me djersë e punë, gjithçka arrihet. Tirana është një sfidë e vështirë, por Besa, sipas Dajës, ka shanset e veta dhe tashmë ka një mentalitet kampioni. Testin në Kupën e Shqipërisë para përballjes me Tiranën, Besa e fitoi 2-0 me Ilirinë në Fushë-Krujë.
Daliç synon të kthehet me "2"-sh nga Fieri
17-herë kampionët e Shqipërisë patën një ndeshje komode në Patos me Albpetrolin vendas (Kategoria e Dytë), por në kampionat përballë Apolonisë në Fier trajneri kroat Zllatko Daliç kërkon të njëjtin impenjim si ndaj Partizanit. Kampi blu është përfshirë në një lëvizje të "nëndheshme" në lidhje me largimin e pritshëm të kroatëve në muajin janar. Gjithsesi, golin e vetëm në Patos e shënoi shqiptaro-kroati Pëllumb Jusufi. Në tri ndeshjet në transfertë, Dinamo e vendit të tretë ka arritur vetëm një fitore (kundër Lushnjës) dhe Daliç e di mirë se pikët në transfertë janë ato që bëjnë edhe diferencën. Sulmuesi lushnjar Fatjon Sefa, i blerë gjatë merkatos verore (shumë pak minuta aktivizim për të), shpreson të aktivizohet në vijën e parë blu, nisur edhe nga fakti që Sebino Plaku (4 gola në kampionat) u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fituar me Partizanin (2-1).
APOLONIA - Në Fier e konsiderojnë aksidentale humbjen me Bylisin fqinj dhe të gjithë te Apolonia presin reagimin, edhe pse përballë të shtunën do të kenë Dinamon, kampionen në fuqi. Autokritika e formacionit të Gert Haxhiut nisi me Kupën e Shqipërisë, me atë fitore 3-0 kundër Dajtit.
Elbasani i “etur” për gol nga sulmuesit
Sulmi elbasanas është ndër më pak prodhimtarët në 8 javët e para: 5 gola (asnjë nga sulmuesit), ndërkohë që në tri ndeshjet në transfertë ka shënuar vetëm 1 gol (ndaj Flamurtarit). Te skuadra e Mirel Josës (edhe ky në situatë të vështirë), duket se ekziston edhe një problem tjetër. Gentian Stojku, në qendër të kritikave javët e fundit (Stojku shënoi gol dhe autogol në barazimin 1-1 me Shkumbinin), pohoi se e ndjen veten vetëm verdheblu dhe se replikat e tij me trajnerin Mirel Josa janë ekzagjeruar nga mediat.
Vllaznia përgatit surprizën për Mirel Josën
Në "Loro Boriçi" do të përballen dy skuadra, që në tetë javët e para kanë grumbulluar të njëjtin numër pikësh, 12, por sfida mes Vllaznisë e Elbasanit ka një shije të veçantë. Shkodranët do të përballen me ish-trajnerin e tyre Mirel Josa. Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj (2 pikë në 3 ndeshjet e fundit), synon rikthimin te fitorja pas humbjes me Besën. Fituesja e edicionit të kaluar të Kupës së Shqipërisë ndodhet nën presionin e presidentit Valter Fushaj.
Te Lushnja, të gjithë duan kokën e Teutës
Me një trajner të ri e të respektuar në botën e futbollit shqiptar, si Vasil Bici, në Lushnjë presin kthesën e madhe të ekipit me më shumë humbje në kampionat: 6 në 8 javë. Edhe në shtëpi, Lushnja nuk ka bilanc të mirë: 3 humbje në 4 takime, por ndaj Teutës trajneri lezhjan shpreson se me impenjim maksimal ekipi i tij mund të sigurojë tri pikët e arta e të ndalojë ritmin fitues të durrsakëve. Pasuesi i Saimir Malkos në debutimin e tij të parë në stolin e Lushnjës arriti një barazim pa gola në Kupën e Shqipërisë me Turbinën në Cërrik, por, sipas Bicit, kjo më shumë shërbeu për të njohur lojtarët e tij. Kapiteni Gentian Çela (i konfliktuar me ish-trajnerin Malko në ndeshjen e fundit të humbur me Elbasanin) pohoi se do të jepnin më të mirën e tyre për të dalë nga gjendja e skuadrës. Të dielën kundër Teutës edhe Çela beson te rezultati pozitiv.
Shkumbini do pikë me armikun Partizani
Peqinasit janë në një provë force e krenarie kundër Partizanit, një "armiku" të përjetshëm sportiv, aq më tepër që Shkumbini mediatikisht konsiderohet nga media si një aleat i Tiranës. Testi para Partizanit rezultoi i suksesshëm në Kupën e Shqipërisë (fitoi në Ersekë 2-0 me Gramozin vendas), por trajneri Gugash Magani e di se përballë të kuqve, që në stol kanë një emër si Shpëtim Duro (ndihmës i ish-trajnerit të Kombëtares, Oto Bariç) nuk do ta ketë të lehtë në "Qemal Stafa". Mesfushori gjirokastrit Fejzo Shenaj, i cili nuk luajti në Ersekë ashtu si Rizvanolli, Nora e Pashja, pohoi se në futboll duhet të kesh fat. Në të vërtetë, Shkumbini nuk ka mundur të fitojë asnjë takim jashtë fushës në tri ndeshjet e para jashtë shtëpisë për këtë edicion. Partizani është ekipi i tretë kryeqytetas me të cilin do të përballet Shkumbini, ndaj Dinamos humbi 3-1 në "Selman Stërmasi" dhe ndaj Tiranës barazoi 0-0 në Peqin.
31 Tetor 2008