Ngjarja në Libi, MPJ: Shkelje e të drejtës ndërkombëtare

Ministri e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar ngjarjen e rëndë, sulmin kriminal ndaj Konsullatës Amerikane në Bengazi, viktima të së cilit ishin Ambasadori i SHBA, si dhe tre funksionarë të tjerë të kësaj konsullate. Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së theksohet se akte të tilla barbare, janë krime të shëmtuara dhe në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare që rregullon veprimtarinë dhe mbrojtjen e personelit diplomatik e konsullor.
“Siç del nga informacionet e deritanishme, sulmi kundër selisë diplomatike dhe personelit të saj, kanë nisur dhe janë motivuar nga spekulime e disinformacione, që kanë për qëllim të cënojnë rëndë paqen dhe bashkëpunimin, tolerancën midis feve të ndryshme. Autoritetet libiane kanë përgjegjësinë e madhe që të gjejnë autorët e këtij krimi të rëndë dhe t`i vënë ata përpara përgjegjësisë së ligjit” thuhet më tej në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë shpreh mbështetjen e solidaritetin e vet me popullin amerikan në këtë moment të rëndë dhe i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të të rënëve në krye të detyrës.