Ngjarja, shoqerohen drejtori i MEICO-s dhe Mihal Delijorgji
Mes tyre, zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes Ylli Pinari. Në pyetje për përgjegjësitë për repartin e çmontimit
Laureta Rryçi
Tiranë – Për tragjedinë në Gërdec shoqërohen katër persona. Burime nga policia e Tiranës pohuan dje se tri ditë pas tragjedisë janë përcaktuar katër përgjegjësit e parë. Që të katër janë shoqëruar fillimisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të njëjtat burime konfirmojnë se të shoqëruarit janë: Mihal Delijorgji, president i firmës “AlB Demil”; Ylli Ponari, drejtori i firmës “MEICO”; Dritan Minxolli, drejtor i fabrikës; Agim Vranja, drejtor i “Vrana Security”. Të njëjtat burime saktësuan se të katër të shoqëruarit po merren në pyetje në lidhje me pozicionin që kishin dhe përgjegjësitë që në momentin që nënshkruan kontratën me firmën amerikane.
Shoqërimi
Pa shënuar ende ora 18:00, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë shoqëruar katër persona. Burimet e para nga policia kanë sqaruar se personat në fjalë deri në orët e vona të mbrëmjes janë vetëm të shoqëruar. Presidenti i firmës çmontuese, Mihal Delijorgji, mësohet se po rimerret në pyetje në lidhje për të shpjeguar gjithçka që ka dijeni që nga momenti i nënshkrimit të kontratës e deri në aktivitetin e mëpasshëm në Gërdec. Ndërkohë, është shoqëruar drejtuesi i firmës MEICO, Ylli Pinari. Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes duket se do të shpjegojë pikërisht se përse i është dhënë tenderi firmës për çmontimin e armëve dhe si është monitoruar kjo firmë. Ndërkohë janë shoqëruar edhe Dritan Minxolli, në cilësinë e drejtorit të fabrikës, si dhe Agim Vranja në cilësinë e drejtorit të “Vrana Security”.
Fabrika
Firma “Alb Demil” çmontonte municionet në repartin e çmontimit në Gërdec që prej një viti. Deri tani ishin çmontuar vetëm fishekë të të gjithë kalibrave. Prej gjashtë muajsh, fabrika bënte dhe çmontimin e predhave. Në fabrikë ishin të punësuar rreth 300 punëtorë, kryesisht banorë të Gërdecit, Vorës dhe rrethinave. Paga varionte sipas pozicionit dhe punës që punëtorët bënin brenda ditës. Kishte familje në Gërdec ku ishin punësuar të gjithë pjesëtarët e familjes. Dëshmitë e të plagosurve kanë treguar se ishin të punësuar në të zezë shumë fëmijë apo persona të tjerë.
18 Mars 2008