SHBA-të: “Nuk e kemi financuar ne Gërdecin”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka bërë të ditur se qeveria e SHBA-ve nuk ka financuar për fabrikën e çmontimit të armëve. Sipas Ambasadës, qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi. ”Kemi vënë re se disa agjenci lajmesh gabimisht kanë raportuar se në depon ku ndodhën një numër shpërthimesh më 15 mars ishte në proces një projekt për çmontim të armëve financuar nga qeveria e SHBA-ve. Do të donim të qartësonim se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi. Megjithëse qeveria e SHBA-ve ka bashkëpunuar më parë në mënyrë të suksesshme me Ministrinë e Mbrojtjes për një sërë projektesh shkatërrimi armësh, aktualisht nuk ka projekte të tilla të përbashkëta në Shqipëri. Mesa kuptojmë nga një deklaratë qeveritare e datës 15 mars, qeveria e Shqipërisë kishte kontraktuar me një kompani private amerikane, “Southern Ammunition Company, Inc”. (SACI) nga Karolina e Jugut për të ndihmuar për çmontimin e municioneve në këtë depo. Kontrata nuk financohet nga qeveria e SHBA-ve. Dëshirojmë të përsërisim shqetësimin dhe ngushëllimet tona për të gjithë personat e prekur nga ky incident tragjik”, - thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve. Ndërkaq, Ambasada e SHBA-ve i ka përcjellë ngushëllimet dhe mbështetjen e saj popullit shqiptar, veçanërisht viktimave, familjeve të tyre dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga tragjedia e së shtunës në Gërdec. Njëkohësisht, Ambasada ka ofruar edhe ndihmën e saj, si medikamente në vlerën 1 mijë dollarë tri orë mbas shpërthimit në Gërdec, ekspertë amerikanë për menaxhimin e krizave pranë Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë së SHBA-ve, si dhe një skuadër me dhjetë anëtarë, në pension, të Forcave Speciale të Ushtrisë së SHBA-ve me përvojë të gjerë në shkatërrimin e municioneve shpërthyese dhe në mbështetje për emergjenca mjekësore dhe operacionale, ofruan ndihmë për Ministrinë e Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, duke mbështetur ngritjen e Qendrës Operacionale, qendrës së medias dhe spitalit fushor, si dhe duke ndihmuar në bashkërendimin e operacioneve në vend.
18 Mars 2008