Ngjarjet në Shkup, Haxhinasto: Të ruhet qetësia
Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto kërkoi nga të gjitha palët në Maqedoni të ruajnë qetësinë ndërsa nga autoritetet maqedonase të zbardhin sa më parë ngjarjen. Në një prononcim për mediat Haxhinasto theksoi se nuk duhen të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje.
“Ne po i ndjekim me shumë vëmendje të gjitha këto zhvillime. Së pari, duhet të rishpreh ngushëllimet e mia për atë që u ka ndodhur familjeve të qytetarëve, që janë gjetur të vrarë në Maqedoni. Gjithashtu, them se në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit” theksoi Haxhinasto.
Gjithashtu për sa i përket veriut të Mitrovicës, Haxhinasto theksoi se rritja e tensioneve atje nuk i shërben askujt. “Sigurisht jemi gjatë një procesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje” shtoi Haxhinasto.
I pyetur në lidhje me problemit që kanë qytetarët shqiptarë me origjinë çame për të hyrë në Greqi, Haxhinasto theksoi se çështja e të drejtave të shqiptarëve, është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Përsa i takon zgjidhjes së problematikës që thoni ju, ne jemi në komunikim intesiv, po bëjmë përpjekjet maksimale që të zgjidhet gjithë problematika që ka të bëjë me komunitetin çam, me të drejtat e tyre legjitime, me të drejtat e tyre të lëvizjes, me të drejtat e tyre të pronësisë, pra të gjithë të drejtat e tyre legjitime” përfundoi ai.