Ngjeçi: Mohoj deklarimet e mia për “Gërdecin”
Tiranë- Sokol Ngjeçi, përfaqësues i ndërmarrjes “Meico” në Gërdec, ka rrëzuar një pjesë të deklarimeve të dhëna gjatë hetimit paraprak, pasi pretendon se i ka dhënë në kushtet e një presioni të fortë psikologjik. Deklarata është bërë nga vetë Ngjeçi, gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ku i pandehuri ka kërkuar nga gjykata të mos merren parasysh një pjesë të deklarimeve që ai ka dhënë në Prokurorinë e Përgjithshme. Pa specifikuar se nga cila pjesë e këtyre deklarimeve tërhiqej, Ngjeçi tha se, gjatë kohës që ai ka mbikëqyrur procesin e demontimeve të predhave në Gërdec, nuk ka vërejtur probleme në këtë punishte. Madje, i pandehuri deklaroi se gjatë gjithë kohës që është kryer demontimi i predhave, atij nuk i është bërë prezent asnjë problem nga personat që punonin aty, apo edhe nga drejtuesit me të cilët ai mbante kontakte të vazhdueshme për këtë çështje. Tashmë i mbetet gjykatës të vendosë nëse do të pranojë apo jo kërkesën e Sokol Ngjeçit rreth tërheqjes nga një pjesë deklarimeve të tij, çështje kjo për të cilën trupi gjykues do të shprehet në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Më tej, seanca e radhës vazhdoi me argumentet e prokurorisë rreth bazës ligjore mbi të cilën është bërë kategorizimi i municioneve që janë përcaktuar për t’u asgjësuar nëpërmjet demontimit. Duke qenë se disa nga të pandehurit, anëtarë të komisionit që ka bërë kategorizimin e municioneve, kanë deklaruar se municionet nuk ndahen me kalibra të mëdha ose të vegjël, por në bazë të armëve që i përdorin ato, përfaqësuesit e akuzës kanë paraqitur bazën ligjore mbi të cilën realizohet ky proces. Po ashtu, një prej përfaqësuesve të akuzës ka paraqitur edhe disa akte ligjore që përcaktojnë mënyrën sesi bëhet kategorizimi dhe asgjësimi i municioneve të shpallura si të papërdorshme. Diskutime janë bërë edhe për një sasi të konsiderueshme municionesh, të cilat i janë nënshtruar demontimit në Gërdec, të cilat ishin dhuratë e ushtrisë turke. Këto predha të kalibrit 20mm, sipas anëtarëve të komisionit, të pandehur në këtë proces, janë kategorizuar për asgjësim, pasi ushtria shqiptare nuk disponon armatime që mund të përdorin predha të këtij kalibri. Seanca e djeshme u shty për të mërkurën, ku pritet të pyeten të pandehur të tjerë që gjykohen në çështjen e njohur me emrin “Gërdeci”. L.Bakillari