Zbardhen përgjimet, ja skema e ryshfetit të provimeve tek Infermieria
Tiranë- Punonjësi i fakultetit të Infermierisë, Bujar Luga, dhe bashkëpunëtori i tij Kreshnik Çami, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, si të dyshuar për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Dy të arrestuarit nuk kanë folur para gjykatës, ndërsa avokatët e tyre kanë kërkuar masa më të buta sigurimi. Gjykata, e cila kishte caktuar më parë masën e sigurisë “arrest me burg”, ka lënë në fuqi të njëjtin vendim, pavarësisht kërkesave për një masë më të butë sigurimi. Duket se provat e Prokurorisë kanë qenë bindëse për gjykatën, e cila tha se dy të arrestuarit duhet të hetohen me masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi prej të paktën dy muajsh kanë marrë para nga një student në këmbim të dhënies së provimeve. Të arrestuarit premtonin dhënien e provimeve në këmbim të shumave të ndryshme të parave, të cilat do t’u jepeshin pedagogëve të fakultetit të Infermierisë në Tiranë. Ka qenë një prej studentëve që ka denoncuar në polici veprimtarinë e dy të dyshuarve, ndërsa organi i akuzës menjëherë ka nisur hetimet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Nga përgjimet dymujore rezulton se studenti kallëzues ka paguar disa herë shuma të ndryshme parash te të arrestuarit, me qëllim marrjen e provimeve. Por hetimet kanë treguar se Bujar Luga, elektricist në këtë fakultet, dhe Kreshnik Çami, kamerier në lokalin pranë Infermierisë, shumat e parave nuk ua jepnin pedagogëve. Duke përfituar nga njohja me pedagogët, i arrestuari Luga ndërhynte tek ata për marrjen e provimeve, duke e paraqitur studentin kallëzues si njeriun e tij. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai ka arritur të sigurojë marrjen e një provimi, por përgjimet ambientale tregojnë se kallëzuesi E. ka paguar disa herë para për disa provime. Episodi i parë është evidentuar më datën 1 shkurt të këtij viti, në të njëjtën ditë që Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal ndaj të dyshuarve. Pikërisht, paraditen e 1 shkurtit kallëzuesi E. është takuar me personin nën hetim, Kreshnik Çami. Nga biseda e tyre në lokalin ku Kreshniku punon si kamerier, është biseduar për provimin që kallëzuesi kishte me një pedagoge të quajtur Vjollca. Sipas vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, rezulton se “gjatë kësaj bisede, Kreshniku i thotë kallëzuesit se mjafton që ai të ketë lekët, ndërsa kallëzuesi i kërkon shifrën që duhet për një provim. Kreshniku i thotë se për të marrë një provim nevojiten nga 3 000 (tre mije) lekë deri në 50 (pesëdhjetë) euro. Me pas Kreshniku e adreson kallëzuesin te një punonjës i administratës së Fakultetit të Infermierisë dhe konkretisht te personi tjetër nën hetim Bujar Luga. Pasi takon Bujarin, kallëzuesi i prezantohet dhe e pyet nëse e ka bërë muhabetin me pedagogen. Bujari është në dijeni të këtij fakti, merr përsipër ta takojë pedagogen në fjalë”- thuhet në vendimin e gjykatës. Sipas hetimit, rezulton se po në këtë ditë, kallëzuesi ka pasur një tjetër takim me kamerierin i cili i ka thënë se ka folur edhe me një tjetër pedagoge për një tjetër provim, por ajo nuk merr para. Megjithatë, i arrestuari ka marrë përsipër se do t’i japë shumën prej 2 mijë lekësh, të cilën duhet ta paguante kallëzuesi, pra studenti që do të merrte provimin. Pas këtij takimi, studenti largohet dhe kthehet sërish, duke i dhënë shumën prej 60 mijë lekësh kamerierit Kreshnik Çami, për të marrë një provim tjetër, për të cilin kishin biseduar më parë.