E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet grupi, dëmtonin bunkerët për skrap

ELBASAN- Hidhnin në erë bunkerët e diktaturës, kapet grupi prej 5 “anëtarësh”. Policia e Elbasanit ka filluar procedimin penal për Agron Kacën, 25 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh komuna Orenje-Librazhd; Dritan Kaçiku, 26 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh komuna Orenje-Librazhd; Alban Kontreli, 23 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh komuna Orenje-Librazhd; Aurel Balliu, 21 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh komuna Orenje-Librazhd; Arjan Biba, 21 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh komuna Orenje-Librazhd; pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shkatërronin bunker për të përfituar skrap. Ata u kapën në fshatin Qerret të komunës Labinot Mal Elbasan. Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi nitrat amoni si dhe një sasi lënde djegëse (nafte), të cilat mendohet se mund t’i përdornin për prodhimin në mënyrë artizanale të lëndës plasëse. Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka ngritur ndaj grupit akuzën për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së armëve luftarake dhe të municionit”. Hedhja në erë e bunkerëve me metoda artizanale është mjaft e shprehur në zonën e Librazhdit dhe nga ky “biznes” përfitohet hekur, i cili përdoret në ndërtim dhe për skrap. Sipas ndërtuesve, cilësia e hekurit të bunkerëve është mjaft e lartë dhe tepër e kërkuar në treg. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›