Oketa në Greqi, takim me Meimarakis
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nisi dje një vizitë zyrtare dyditore në Greqi, i pari udhëtim i tij në shtetin fqinj si ministër i një vendi anëtar të NATO-s. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se ministri Oketa vizitoi vendin fqinj me ftesë të homologut të tij, Evangelos Meimarakis. Dy ministrat e Mbrojtjes, ai shqiptar dhe grek do të takohen sot në Athinë. Vlen të theksohet në prizmin e një koincidence se vizita e ministrit Oketa përkon me vendimin e qeverisë shqiptare, e cila pranoi ndërtimin e dy varrezave greke në Shqipëri. Në takimin mes tyre do të diskutohen marrëdhëniet mes Ministrive të Mbrojtjes së dy vendeve. Gati dy muaj pasi Shqipëria u anëtarësua me të drejta të plota në Aleancën më të madhe të sigurisë në botë, në Samitin jubilar të Strasburg/Kehl, ministri Oketa do të diskutojë me homologun e tij grek për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve fqinje, anëtare të kësaj Aleance. Gjatë qëndrimit në Greqi, ministri Oketa do të zhvillojë një takim edhe me studentët shqiptarë që ndjekin studimet ushtarake në vendin fqinj.