E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Gjakmarrja kërkon rishikim të Kushtetutës së Shqipërisë

Tryeza e rrumbullakët me temë "Drejtësia shqiptare dhe Strasburgu" organizuar nga Departamenti Juridik në universitetin "Marin Barleti", nxiti debate mes politikanëve dhe juristëve e kostitucionalistëve pjesëmarrës në të. 

E ideuar dhe moderuar nga pedagogia në Minorin Marrëdhënie Ndërkombëtare të Fakultetit të Drejtësisë, Eni Çobani, tryeza kishte si qëllim të paraqiste frymën evropiane të së drejtës brenda legjislacionit shqiptar. Studentët e vitit të dytë në degën Drejtësi, të Orientuar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, që paraqitën temat e tyre, ndezën mjaft diskutime veçanërisht për tema të tilla, si "E drejta zakonore", por dhe "Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut". Avokati i njohur, Spartak Ngjela, duke diskutuar rreth parandalimit të gjakmarrjes në Shqipëri, si një fenomen i rilindur pas viteve '90, kërkoi forcimin e ndëshkimit gjyqësor. "Ne nuk dimë ende nëse heqja e dënimit me vdekje ka dhënë apo jo rezultat. Për të rritur transparencën, por dhe pjesëmarrjen e popullit në dhënien e drejtësisë, kërkohet ngritja e jurive popullore, ashtu siç e kanë shumë vende të zhvilluara demokratike", tha avokat Ngjela. Edhe kostitucionalisti Luan Omari kërkoi rritjen e besimit në organet e drejtësisë, në mënyrë që të shmangen fenomeni i vetëgjyqësisë, siç po ndodh shpesh në ditët tona. Por edhe temat e tjera të studentëve që kishin të bënin me të drejtën evropiane, si "Tradita autoritare e sistemeve qeverisëse në Shqipëri" nxiti debatin, ku bashkëbiseduesit pohuan nevojën e shkëputjes të politikës shqiptare nga mentaliteti komunist dhe t'i drejtohen gjithnjë e më tepër shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut. Gjatë diskutimeve të studentëve por dhe të të ftuarve të tjerë, u diskutuan çështje të tilla si Sa është implementuar Konventa evropiane e të drejtave të njeriut në Legjislacionin shqiptar?; Sa kuptohet ajo nga gjyqësori dhe administrata shqiptare?; Ç'vend zë zbatimi i ligjit dhe drejtimi në Gjykatën e Strasburgut kur vendimet e marra bien në kundërshtim me Konventën?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›