E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Kashar, Meta prezanton kandidatin e së “Majtës për Integrim”

Koalicioni "E majta për integrim" do të ketë një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e pjesshme për kryekomunar të Kasharit. 

 LSI-PDS dhe PAD kanë prezantuar Alfred Bakallin, duke hapur kështu dhe zyrtarisht fushatën për kreun e kësaj komune. Gjatë takimit të hapur me banorët e komunës Kashar, kanë qenë të pranishëm dhe presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka dhe Sekretari i PDS-së, Artur Duçkallari. Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh tepër optimist për fitoren e kandidatit Bakalli në zgjedhjet e pjesshme më 27 korrik. Ceka u shpreh i bindur se me programin që kishte përgatitur Bakalli, ai do të jetë fitues në garën elektorale për zgjedhjet në këtë komunë. "Ne mendojmë, tha ai, që programi që ka Alfredi, nuk është vetëm programi i tij personal, që vjen përditë nga kontaktet me ju, që vjen me hallet që ndan me ju, por që vjen edhe nga dëshira që ai ka për ta kthyer Kasharin jo në një lagje të Tiranës, por në qytetin e Tiranës. "Ndaj në emër të Aleancës Demokratike, në emër të të gjithë anëtarëve që ne kemi në këtë komunë, dhe në emër të gjithë atyre që kanë votuar për Aleancën Demokratike në këtë komunë, mbështet plotësisht kandidaturën e tij", theksoi Ceka.  Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duke vlerësuar kontributin e kandidatit të përbashkët si këshilltar në këtë komunë, u shpreh se ai do të përfaqësojë interesat e komunitetit të kësaj zone. "Jam i bindur, tha ai, se eksperienca e tij si këshilltar do ta bëjë atë të fillojë menjëherë punën si kryetar komune, sepse i di problemet dhe është i qartë për zgjidhjen e tyre. "Alfredi ka të gjithë mbështetjen tonë, jo vetëm për të zbatuar programin e tij, por njëkohësisht për ta lidhur këtë komunë, për ta binjakëzuar atë edhe me bashkitë dhe komunat në Itali dhe në vendet e tjera perëndimore", u shpreh Meta. Këto janë zgjedhjet e para ku ky koalicion del me kandidat të saj, duke bërë dhe startin e një bashkëpunimi më të gjerë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.

Duçkallari: Votoni koalicionin e ri
Sekretari politik i PDS-së kërkoi nga banorët e komunës së Kasharit mbështetje ndaj koalicionit më të ri në politikën e vendit. "PDS vlerëson se zgjedhjet në Kashar do të jenë prova e parë e opozitës së vërtetë, e opozitës që refuzon dhe denoncon Berishën, e opozitës që nuk bën pakte të errëta me një qeveri të dështuar dhe të korruptuar. PDS fton të gjithë elektoratin e majtë të votojë kandidatin e përbashkët të LSI-PDS-PAD, për të treguar se e majta e re nuk ka frikë nga përballjet elektorale edhe me ata që e quajnë veten të mëdhenj", tha Duçkallari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›