E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim trafikut me fishekët e Gërdecit

Sasi të konsiderueshme municionesh të destinuara për çmontim në ish-punishten e Mihal Delijorgjit në Gërdec dyshohet se, kanë përfunduar në Afganistan. 

Trazhgim Sokolaj

Kjo është një prej pistave që po hetohet nga Prokuroria shqiptare, e cila ka mbledhur dëshmi nga punëtorët që kanë paketuar fishekë Kallashnikovi në Gërdec, duke i nxjerrë nga arkat me mbishkrime kineze. Municionet më pas janë vendosur në kuti kartoni, të cilat ngarkoheshin në avionë për t'u transportuar në Afganistan. Ajo që dyshohet se ka ndodhur, në fakt është një skemë e ndërlikuar, e cila besohet se për protagonist të saj ka pasur ish-drejtorin e MEICO-s Ylli Pinari dhe biznesmenin Mihal Delijorgji. Të dy ata kanë hedhur poshtë çdo implikim të tyre në ndonjë aktivitet jashtë kontratave të ligjshme. Megjithatë, një raport i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, dërguar Ambasadës amerikane në Tiranë, i bërë tashmë publik, paralajmëronte mundësinë e trafikimit të municioneve nga Rinasi. Ky paralajmërim është artikuluar në maj 2007 përmes një shkrese zyrtare dërguar kësaj ambasade.
Sinjalet e trafikut
Shtabi i Përgjithshëm ishte në dijeni për kontratën, që MEICO kishte nënshkruar me kompaninë amerikane AEY në 18 maj 2007. Për këtë kontratë, shtabi ishte ngarkuar të evidentonte municionet për shitje nga depot e ushtrisë e më pas t'i dorëzonte ato tek MEICO. Para se të fillonte dorëzimi i fishekëve të destinuar për AEY-në, në Rinas kishin mbërritur municione, të cilat besohet se janë çuar aty nga Gërdeci. Kjo kohë përkon me momentin kur me ndërhyrje të Ylli Pinarit, biznesmeni Kosta Trebicka është shmangur nga procesi i paketimit të fishekëve që i shiteshin AEY-së dhe në këtë aktivitet, siç dyshohet, ka hyrë Mihal Delijorgji, i cili kishte punishten e tij në Gërdec të deklaruar për çmontim. Pikërisht në këtë kohë është marrë informacioni për trafikim të mundshëm municionesh nga Rinasi. Sipas hetimeve, ngarkesat me fishekë niseshin në zonën ushtarake të aeroportit, e cila ndodhet nën kontrollin e Forcave Ajrore shqiptare. Pikërisht strukturat e këtyre të fundit kanë marrë informacionet e para, që u janë përcjellë organeve të specializuara në Shtabin e Përgjithshëm, të cilat më pas kanë verifikuar faktet.
Fishekët e Gërdecit
Në këtë kohë, maj 2007, MEICO kishte nënshkruar një kontratë të dytë para asaj me AEY, për dërgim fishekësh me qëllim çmontimi në Gërdec. Në të dy rastet transporti bëhej nga automjetet e ushtrisë. Për këtë shkak, ushtria ka rënë në gjurmë të asaj që po ndodhte, ngarkesa të destinuara për në Gërdec, dyshohet se kanë përfunduar në afërsi të Rinasit, ku fishekët janë hequr nga arkat e drurit e më pas janë vendosur në kuti kartoni për t'u ngarkuar në avionë. Një gjë e tillë është dokumentuar nga një grup hetuesish amerikanë, të cilët mbërritën në këtë kohë në Shqipëri dhe bënë hetime, të nxitur nga denoncimi i Shtabit të Përgjithshëm pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, besohet se pas hyrjes në lojë të Mihal Delijorgjit, fishekët e dorëzuar nga ushtria në Gërdec, pasi janë paketuar në kuti kartoni janë dërguar më pas, natën, me mjete jo ushtarake në drejtim të Rinasit. Prokuroria tha se deri më tani ka të dhëna që përbëjnë indice për të hetuar një gjë të tillë, e cila pritet të konfirmohet nga investigimi i autoriteteve ligjore.

Diveroli, blerësi i fishekëve nga Pinari

TIRANE - Presidenti i kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli ka qenë blerësi i fishekëve, që shiteshin nga ndërmarrja shqiptare MEICO me destinacion Kabulin. AEY kishte marrë një tender rreth 300 mijë dollarë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për të furnizuar forcat afgane të sigurisë me municion Kallashnikovi, armë e cila përdoret prej tyre. Mirëpo, me transaksionin e kryer bashkë me ndërmarrjen shqiptare MEICO, Diveroli akuzohet se ka shkelur ligjet amerikane, të cilat i ndalojnë çdo subjekti nga SHBA tregtimin dhe çdo veprim tjetër me armë apo municione që kanë prodhim ose origjinë kineze. Për këtë shkak, Diveroli është arrestuar, ndërsa Kongresi amerikan është duke hetuar, nëse zyrtarët vendas kanë kryer çdo gjë sipas ligjit në tenderimin dhe klasifikimin e kompanisë AEY për blerjen e municioneve me të cilat furnizoheshin forcat afgane të sigurisë.

Pinari: Zbatova urdhrat dhe ligjet e vendit

TIRANE - Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari ka hedhur poshtë çdo implikim të tij në shkeljen e ligjeve shqiptare apo amerikane. Ai ka thënë se ndërmarrja MEICO kishte deklaruar vitin dhe origjinën e prodhimit të municioneve, që i janë shitur kompanisë amerikane e tenderuar dhe e pajisur me end-user nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Ylli Pinari është shprehur gjatë deklarimeve të tij para prokurorëve, se kishte zbatuar vetëm ligjet e vendit dhe urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ish-drejtori i MEICO-s është vetëdeklaruar i pafajshëm edhe lidhur me tragjedinë e Gërdecit, pasi Prokuroria e ka bërë atë përgjegjës për mungesën e kushteve të sigurisë në fabrikën e çmontimit. Ajo furnizohej dhe sipas urdhrave duhej të mbikëqyrej nga ndërmarrja shtetërore MEICO, e cila drejtohej deri disa muaj më parë nga Ylli Pinari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›