Ngjela: Sot protestat e Opozitës rinisin nga Durrësi
Rinisin sot nga Durrësi protestat e Opozitës së Bashkuar. Pas një ndërprerjeje të ardhur si pasojë e situatës së vështirë në Veri, partitë e koalicionit opozitar bënë të ditur se që sot, seria e reagimit qytetar do të vijojë sipas kalendarit për të mbërritur në finale në Tiranë. Në listën e arsyeve që kanë motivuar daljen në këtë skenar të Partisë Socialiste dhe partnerëve të saj është shtuar edhe ajo e përmbytjeve në Ultësirën Perëndimore, e cila në gjykimin e saj, është përgjegjësi e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. “Qeveria është përgjegjësja kryesore për përmbytjet në vend”, tha përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela. Ai u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e konsideruar lëvizjen e nisur nga selia rozë si e vetmja rrugë për largimin e Kryeministrit Sali Berisha. Më shumë, Ngjela ka ftuar qytetarët ta shohin realitetin si nxitës kryesor të reagimit dhe jo vetëm ftesën dhe nismën e Opozitës së Bashkuar. “Sot në Shqipëri janë kthyer kënetat dhe qeveria nuk ka para të dëmshpërblejë e prekur nga përmbytjet”, tha ai.