E Diel, 1 Nëntor 2026

Njësitë Task-Forcë, problem oficerët e policisë gjyqësore

Takimi Zhvillohen analizat e njësive të Tiranës, Korçës, Vlorës, Fierit dhe Shkodrës

Oficerët e policisë gjyqësore duhet të “gërmojnë” për evidentimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik-financiar. Pjesa përbërëse e njësive Task-Forcë që nuk janë pjesë e organit të akuzës duhet të punojë për evidentimin e këtyre veprave penale me qëllim që t’i evidentojë dhe t’i godasë në kohë. Këto kanë qenë kërkesat e kryeprokurores Ina Rama gjatë një takimi me prokurorë dhe hetues të njësive të përbashkëta hetimore. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë dje se Prokurorja e Përgjithshme ka zhvilluar këto ditë takime të veçanta me njësitë e specializuara kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit duke marrë në analizë rezultatet e punës së kryer.

Njësitë e Tiranës, Korçës, Vlorës, Fierit dhe Shkodrës kanë paraqitur raportet e tyre mbi punën e kryer gjatë këtij viti, si dhe ecurinë e hetimeve që janë në proces. “Gjatë takimeve janë evidentuar problemet që hasen gjatë kryerjes së detyrave, si dhe janë diskutuar rrugët për rritjen e efikasitetit në rezultatet e punës”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, në analizën e kryer është marrë në evidencë kontributi i çdo pjese përbërëse të Task-Force që janë prurje nga institucionet e tjera, si dhe problematikat që hasen në këtë bashkëpunim. “Në këtë aspekt një theks i veçantë iu kushtua rritjes së rolit të oficerëve të policisë gjyqësore pranë këtyre njësive në sigurimin e informacioneve për veprat penale të veprave të korrupsionit dhe krimit financiar çka mundëson dhe rritjen e efikasitetit të një analize më profesionale të materialeve që vihen në dispozicion dhe nisjen e proceseve penale për këto raste”, vijon njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme.

Kryeprokurorja, gjatë këtyre takimeve ka theksuar se lufta ndaj veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, mbeten prioritet për organet e prokurorisë dhe suksesi ndaj tyre mund të arrihet nëpërmjet zbatimit të plotë dhe rigoroz të ligjit, si dhe me rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore.

Ajo ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj njësive të specializuara, ndërsa theksoi se tashmë ky suport duhet të materializohet me një produkt më të dukshëm të punës që po zhvillohet nga këto njësi. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik është jo vetëm një prioritet i prokurorisë, por edhe një çështje sensitive në opinionin publik, ndaj njësitë e specializuara duhet të jenë më proaktive në punën e tyre duke u orientuar të nisin hetime kryesisht për çështje të ndryshme sipas dinamikës së ngjarjeve”, tha Ina Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›