E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngraçan, 50 familje në qiell të hapur

Mallakastër Banesat janë shkatërruar gjatë periudhës së shirave. Pritet ndërhyrje nga shteti

Rrëshqitjet masive të dherave në zonën e Mallakastrës vijojnë të krijojnë probleme për komunitetin. Pas dëmtimeve të rënda në rrugën kombëtare Ballsh-Tepelenë, pas shkatërrimit të disa lagjeve në fshatrat Greshicë, Fratar dhe Povël, radhën e ka fshati Ngraçan i Rrethit Mallakastrës. Gjatë periudhës së shirave u dëmtuan 30 shtëpi banimi, ndërkohë që dy javët e fundit edhe pse nuk ka pasur reshje, numri i familjeve që rrezikojnë të mbeten në pastreha ka shkuar në 50. Zyrtarisht titullarët e Komunës Ngraçan pohojnë shqetësimin real të krijuar pas rrëshqitjeve të dheut dhe tregojnë se komuna e ka të pamundur që të ndërhyjë në përmirësimin e kësaj situate. Disa banorë janë larguar nga fshati dhe janë vendosur te të afërmit në fshatrat fqinjë. Ndërkaq, veç banesave, janë dëmtuar rrugët që lidhin fshatrat me komunën, si dhe shkolla 9-vjeçare në qendër të fshatit Ngraçan. Muret e godinës kanë pësuar të çara, duke vënë në rrezik jetën e dhjetëra nxënësve. Zyrtarët e komunës thonë se e kanë deleguar problemin në këshill të qarkut dhe pranë prefekturës. Por, nga ana tjetër, specialistë të shtabit të emergjencave civile në prefekturë kanë thënë për gazetën “Shqip” se komuna ka sjellë vetëm një ankesë dhe jo dosje. Derisa ky hendek mes vetë institucioneve të zgjidhet, duhet që banorët të jetojnë nën tmerrin e rrëshqitjeve të tokës dhe banesave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›