Ngrica, fluks në pediatrinë e QSUT-së
Rënia e temperaturave dhe i ftohti i madh që ka kapluar vendin këto ditë, ka shtuar rastet e fëmijëve që i drejtohen për ndihmë mjekësore pavijonit të pediatrisë në QSUT.
Fluksi i pacientëve është rritur gjatë ditës së diel dhe të hënë, për shkak të të ftohtit. Gjatë ditës së diel në urgjencën pediatrike janë paraqitur 140 fëmijë, numër ky më i madh se ditët e zakonshme. Madje, në këto ditë ka pasur aq shumë urgjenca, saqë në këtë pavijon është e vështirë të gjesh një krevat të lirë.
Sipas mjekëve, kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimit të menjëhershëm të kohës, të cilës të vegjlit nuk kanë mundur t'i rezistojnë. "Ndryshimi i temperaturave gjatë kësaj jave ka bërë që të shtohet edhe numri i fëmijëve të cilët nuk kanë mundur t'u bëjnë dot ballë, - shpjegojnë mjekët specialistë. - Kjo, sepse organizmi i tyre nuk është i përgatitur të përballojë ndryshime kaq të shpeshta dhe kaq të mëdha të temperaturave".
Kryesisht të vegjlit që janë të moshës nga 0-6 vjeç, vijnë me temperaturë të lartë, të vjella dhe diarre. "Shenja këto karakteristike të virozave të stinës së dimrit, -shpjegojnë më tej mjekët pediatër që presin çdo ditë të vegjlit. - Nuk ka asgjë për t'u shqetësuar, pasi këto lloj virozash janë karakteristike për çdo stinë të ftohtë".
"Shpeshherë na vijnë fëmijë që kanë tri-katër ditë me temperaturë të lartë. Prindërit duhet të kërkojnë ndihmën e mjekut sapo konstatojnë se fëmija i tyre ka temperaturë, dhe jo të presin që ajo t'u zbresë vetë", - këshillojnë ata, duke këmbëngulur që për çdo rast duhet t'i drejtohen mjekut specialist dhe jo farmacistit.
Mjekët rekomandojnë si parandalues efikasë të virozave gjatë stinës së dimrit, vaksinat antigrip. Ndaj, fëmijët, moshat e treta, por edhe të rriturit që vuajnë nga sëmundje të tjera dhe janë më të ekspozuar ndaj gripit, duhet të bëjnë vaksinën antigrip.