E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë refuzon ekstradimin e Zylfie e Hamdi Haklajt



Gjykata mbështet prokurorët: Rrezikohen në Shqipëri

Zylfie Haklaj: Rrezikoj torturën, poshtërimin dhe në fund vrasjen

Refuzohet ekstradimi i Zylfie Haklajt edhe nga Gjykata e Lartë në Suedi. Këta të fundit, duke u shprehur me argumente, mbështesin vendimin e prokurorëve se Zylfie e Hamdi Haklaj nuk duhet të ekstradohen në Shqipëri, sepse iu rrezikohet jeta. Një lajm i tillë bëhet i ditur nga mediat suedeze, të cilat i referohen një vendimi të dhëna nga shkalla më e lartë e gjyqësorit në vendin e tyre. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Lartë suedeze (HD), e cila ka lënë në fuqi vendimin e prokurorëve për të mos ekstraduar Zylfie Haklajn, me arsyetimin se të drejtat e saj në Shqipëri nuk do të respektoheshin. Sipas gjykatës, gruaja 45-vjeçare nuk duhet të ekstradohet në Shqipëri, pasi “hetimet mbi rastin e saj nxjerrin në pah rrezikun serioz të trajtimit të saj në vendin e origjinës, në bazë të pikës 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut (ECHR)”. Sipas gjykatës, në bazë të informacione të vëna në dispozicion nga kreu i Prokurorisë, autoritetet shqiptare nuk mundet t’i sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme gruas. Madje, në arsyetimin e vendimit, gjykata ka cituar një raport të vitit 2007 të Ministrisë së Jashtme suedeze mbi situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Zylfie Haklaj është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vjet burg, vendim i lënë në fuqi nga shkalla e dytë e gjyqësorit dy javë më parë. Akuzohet për vrasje, ngjarje e ndodhur në qendër të Tropojës në vitin 2002, ku kanë mbetur të vdekur dy persona të cilët ajo i quante fajtorë për vdekjen e vëllait të saj. Por, pas arrestimit të saj në muajin prill, prokurorët kanë vendosur që ajo dhe vëllai i saj 70-vjeçar nuk duhet të ktheheshin prapë në Shqipëri, pasi jeta e tyre ishte në rrezik. Madje, gjatë fjalës së saj para gjykatës, Zylfie Haklaj është shprehur se ajo sulmohet edhe nga politika drejtuese në Shqipëri dhe se nëse e dërgojnë në Shqipëri, ajo do të torturohej, poshtërohej dhe në fund do të përfundonte e vrarë. Përveç pikës 3 të Konventës për të Drejtat e Njeriut, gjykata i është referuar edhe pikës ku flitet për “torturën, ndëshkimin çnjerëzor dhe degradues”, duke shpjeguar se duhet ndaluar ekstradimi i një personi të huaj që në vendin e tij të origjinës rrezikon t’i nënshtrohet këtij lloj torturimi dhe degradimi. Një rregullim të ngjashëm ka bërë gjykata edhe për rastin e vëllait të Zylfies, Hamdiut, i cili u lirua nga qendra ku mbahej në Alingsas.

Vendimet

Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin e dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë për të pandehurën e hetuar dhe gjykuar në mungesë, Zylfie Haklajn, e cila akuzohet për vrasjen në mes të Bajram Currit të Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin. “Shota” e Haklajve u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës dhe po aq e la vendimin edhe Apeli pak ditë më parë. Organi i akuzës i ka kërkuar gjykatës cilësimin fajtore për veprën penale të “vrasje me dashje për motive hakmarrjeje” dhe dënimin e Zylfie Haklajt me 25 vite heqje lirie. Sipas prokurorisë, Zylfie Haklaj, vajza e katër vëllezërve të vrarë, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj, është autore e krimit të kryer në zemër të Tropojës. Ndaj, organi i akuzës kërkoi dënimin e saj me 25 vjet burg për veprat penale të “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Gjyqi ndaj Zylfie Haklajt fillimisht nisi në Tropojë, por për arsye sigurie dosja u transferua në Tiranë. Zylfia, vajza e vogël e Muharrem Haklajt, akuzohet si autore e ngjarjes së 2 prillit 2002, ku mbetën të vrarë Rasim Lumneshi, një prej njerëzve më të fuqishëm të Tropojës në vite, Ilir Gosturani, si dhe u plagosën Izet Dusha e Hysen Biberaj. Vrasjet e katër vëllezërve me mina të telekomanduara, snajper dhe prita të sofistikuara, e detyruan Zylfie Haklajt të rrëmbejë armën për të marrë hak për ta. Sapo mori vesh që Rasim Lumneshi, të cilin e akuzonte si shkaktarin kryesor të fatkeqësive të njëpasnjëshme në familjen e saj, ishte në Tropojë, vajza e vogël e Muharrem Haklajt e vuri planin në jetë. Mesditën e 2 prillit të gjashtë viteve më parë, Zylfia arriti ta qëllonte Lumneshin për vdekje. Viktimë mbeti dhe Ilir Gosturani, që ishte në një tavolinë në Lumneshin, si dhe u plagosën dy persona të tjerë. Pasi mori gjakun e vëllezërve, ashtu siç e kërkonte kanuni, “Shota” e Haklajve mundi të arratisej. Emri i saj ndodhej prej shumë vitesh në listën e personave të shumëkërkuar, derisa u kap nga autoritetet suedeze. Tashmë, pas katër vëllezërve të vrarë, i vetmi që ka mbetur gjallë nga djemtë e Muharrem Haklajt është Hamdiu, i cili u arrestua pak kohë më parë në Suedi, por u lirua sërish.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›