E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngricat, blutë e Qarkullimit rrisin shërbimet në rrugët kombëtare

Gjirokastër-Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit si dhe prania e ngricave dhe akullit përgjatë segmenteve rrugore kanë bërë që efektivat e Njësisë Rajonale të Sigurisë Rrugore në Gjirokastër, të rrisin praninë dhe orët e shërbimit përgjatë rrugëve kombëtare dhe dytësore të qarkut. Sipas inspektorëve të Qarkullimit Rrugor, me qëllim mbajtjen nën kontroll të fluksit të rënduar të automjeteve dhe shmangies së aksidenteve automobilistike, të cilat mund të shkaktohen nga prania e ngricës dhe akullit, përgjatë segmenteve rrugore inspektorët e Qarkullimit kanë shtuar shërbimet e tyre në zonat e cilësuara si pika rreziku për shoferët. “Ne kemi rritur praninë e shërbimeve dhe efektivave tanë në pjesë të rrugëve kombëtare të qarkut, të cilësuara si pika rreziku, p.sh., ‘Shkalla e Zezë’ në rrugën Tepelenë-Gjirokastër, Qafa e Muzinës në aksin Gjirokastër-Sarandë etj ”, - thonë specialistët e Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër. Gjithashtu, për zbatimin me sukses të planit të masave për stinën e dimrit, blutë e Qarkullimit po bashkëpunojnë dhe me ndërmarrjet e rrugëve, duke garantuar siguri rrugore për mjetet që qarkullojnë në rrugët kombëtare dhe dytësore të Qarkut të Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›