Shkrumbohet shtëpia, 90-vjeçarja shpëtohet nga fqinjët
Shkodër-Një 90-vjeçare ka shpëtuar falë ndërhyrjes në kohë të fqinjëve të saj, ndërsa banesa ku jetonte është përfshirë nga flakët. Ka qenë mëngjesi i së shtunës kur flakë zjarri janë vënë re në lagjen “Xhabiej ”, në banesën e Qamile Rexhës 90 vjeçe, në katin e parë të një prej pallateve të kësaj lagjeje. Komshinjtë kanë nxituar të nxjerrin jashtë të moshuarën si dhe kanë njoftuar zjarrfikësit. Pavarësisht ndërhyrjes se zjarrfikësve, banesa është djegur tërësisht, por kanë mundur të shpëtojnë banesat pranë familjes Rexha. Mendohet se shkak ka qenë një shkëndije elektrike dhe zjarri është shfaqur pikërisht pranë pajisjeve elektrike të banesës, ndërsa sipas banorëve të pallatit, në ato momente ka pasur një ndërprerje të energjisë elektrike, e cila është rikthyer pak minuta më pas me tension më të lartë. Në banesë jeton 90-vjeçarja Qamile Rexha, e cila në ato moment ka qenë e vetme në shtëpi, por falë ndërhyrjes në kohë të fqinjëve është bërë i mundur edhe largimi i saj pa u dëmtuar, ndërsa zjarri është përhapur me shpejtësi duke shkatërruar plotësisht të gjitha orenditë. Forcat e zjarrfikëseve kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes në apartamentet e tjera të pallatit. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e rendit dhe ekspertë, të cilët po verifikojnë dhe po kryejnë hetimet paraprake me qëllim nxjerrjen e saktë të shkakut që ka shkrumbuar plotësisht banesën e 90-vjeçares. D.K