E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu vazhdon fushatën, prezanton në Tiranë Gerta Gumenin



Kreu republikan, Fatmir Mediu, prezantoi dje kandidaten për deputete për Zonën Zgjedhore Nr. 45 në Tiranë, Gerta Gumeni. Në këtë takim ishin të pranishëm anëtarë të Kryesisë së kësaj force dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Gjatë fjalës së tij Mediu shprehu bindjen se shqiptarët, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit, do t’i japin një mandat të dytë koalicionit të djathtë. “Puna e nisur duhet të vazhdojë dhe më mirë se ne të djathtët nuk mund ta bëjë askush. Kam bindjen se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë rruga për të vazhduar në reformat në shëndetësi, në reformat në arsim, në reformat në punësim, investimet në infrastrukturë, në energji, në të gjithë sektorët jetikë, për të ndërtuar atë që kemi shpresuar dhe ëndërruar, atë që shikojmë në vende të tjera, por që duhet ta kthejmë në një realitet në Shqipëri”, - u shpreh Mediu. Kreu republikan theksoi se pas anëtarësimit në NATO, Shqipërinë e presin projekte të tjera, sfida më të mëdha, një ëndërr e cila do të bëhet realitet së shpejti. “NATO është një sukses, njëkohësisht një angazhim dhe përgjegjësi. Këtë ne e arritëm jo vetëm falë vizioneve tona, por dhe me bashkëpunimin e të gjithë shqiptarëve. Sërish së bashku, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë për një të ardhme të sigurt, për ne dhe familjet tona, për Shqipërinë që duam”, - nënvizoi Mediu.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›