E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ-ja, marrëveshje bashkëpunimi me OMONIA-n dhe me vllehët

Dule: “Spiro Ksera dhe Kosta Barka u vetëpërjashtuan nga partia”. OMONIA, dorë të lirë për listat në Gjirokastër dhe në Vlorë

Luis Tanushi
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nënshkroi dje marrëveshje bashkëpunimi me organizatën e minoritetit grek “OMONIA” dhe me Shoqatën e Vllehëve të Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua nga tre krerët, Dule për PBDNJ-në, Bollano për “OMONIA”-n dhe Thanas Peçi për Shoqatën Vllehe. Vangjel Dule deklaroi se marrëdhëniet midis partisë së tij dhe “OMONIA”-s janë të mira. Vetë kreu u kësaj shoqate u shpreh se aleanca me PBDNJ-në do të vazhdojë. Gjithashtu Bollano tha se shoqata “OMONIA” nuk do të shndërrohet në parti politike. Dule foli edhe për largimet e anëtarëve të PBDNJ-së duke u shprehur se ata janë vetëpërjashtuar nga partia.
Marrëveshja
Marrëveshja u nënshkrua dje në selinë e PBDNJ-së mes tre kryetarëve. Në marrëveshjen e nënshkruar, “OMONIA”, e drejtuar nga Vasil Bollano, do të ketë dorë të lirë në përcaktimin e kandidatëve në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës. Vetë kreu i kësaj shoqate, Vasil Bollano, mohoi kandidimin për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Shoqata e Vllehëve do të ketë përparësi në rrethin e Korçës, ku komuniteti vlleh është edhe më i përqendruar. Kryetari i saj, Thanas Peçi, do të kryesojë listën e PBDNJ-së në qarkun e Korçës. Vangjel Dule deklaroi se PBDNJ-ja ka bashkëpunuar gjithmonë me shoqatën “OMONIA”. “Nënshkruam sot marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadrin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk është se kjo përbën një lajm, nuk është një situatë e re, bashkëpunimi me bashkimin demokratik të komunitetit etnik grek Omonia dhe me vllehët. Pavarësisht se unioni është në vitin e parë të ekzistencës në formën e unionit të vllehëve të Shqipërisë, tradicionalisht ka pasur një bashkëpunim strategjik”, - u shpreh Dule. Në lidhje me garimin e dy anëtarëve të PBDNJ-së, Spiro Kserës dhe Kosta Barkës, nën siglën e PD-së, Vangjel Dule tha se partia që ai drejton nuk i ka përjashtuar këto dy figura. Sipas tij, Ksera dhe Barka janë vetëpërjashtuar nga strukturat drejtuese të PBDNJ-së. “PBDNJ-ja, për nga filozofia e vet, nuk është një parti e përjashtimeve dhe e ndëshkimeve. Natyrisht, në rastin se një drejtues i PBDNJ-së, cilido qoftë ai, përpara se t’i bashkëngjitet asaj është në nderin dhe në moralin e tij të paraqesë dorëheqjen pranë PBDNJ-së. Në momentet që po flasim një situatë e tillë nuk ka ndodhur”, - deklaroi Dule.
Përçarja
Menjëherë pas vendimit të PBDNJ—së për daljen nga qeveria dhe futjen në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në koalicion me të majtën, në strukturat e PBDNJ-së filluan edhe përçarjet e para. Anëtarët e kësaj partie, Spiro Ksera dhe Kosta Barka, kanë dalë kundër vendimit të PBDNJ-së për një koalicion me opozitën duke kërkuar nga PD-ja që të jenë pjesë e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Para pak ditësh prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, njëkohësisht kryetari i degës së PBDNJ-së dhe i OMONIA-s për Gjirokastrën, e quajti absurde koalicionin që PBDNJ-ja do të bëjë me PS-në. Sipas tij, PBDNJ-ja mund të kandidonte e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Ksera ka dhënë dorëheqjen edhe nga kandidimi për deputet të PBDNJ-së në qarkun e Gjirokastrës, ku ka qenë i pari në listë. Ndërsa anëtari tjetër i PBDNJ-së, Kosta Barka, deklaroi se për kalimin e PBDNJ-së majtas nuk ka vendim kryesie dhe se u shpërfill dhe vendimi i OMONIA-s. "Janë shtatë vota për të dalë të pavarur dhe pesë vota për koalicione me parti të tjera", - shprehet Barka. Në vazhdën e largimeve nga PBDNJ-ja, kryetari i komunës Finiq në rrethin e Delvinës, Ziso Lluci, dje dha dorëheqjen nga Kryesia dhe nga organet e tjera të PBDNJ-së, në shenjë proteste ndaj liderit të kësaj force politike, e cila një ditë më parë u bashkua me koalicionin e majtë.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›