Presidenti Topi niset sot për një vizitë zyrtare në Kroaci
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, do të niset sot, në krye të delegacionit të përbërë edhe nga drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese, për një vizitë zyrtare treditore në Kroaci, me ftesë të Presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiç. Gjatë qëndrimit në Kroaci, Presidenti i Republikës do të pritet dhe do të zhvillojë bisedime me autoritetet më të larta kroate, Presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebic, si dhe kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader. Takimet dypalëshe të Presidentit me këto autoritete të larta si dhe mes delegacioneve zyrtare respektive do të përqendrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok mes Shqipërisë dhe Kroacisë në kuadër të partneritetit si aleatë me të drejta të plota në NATO, të aspiratës integruese të dy vendeve tona për në Bashkimin Europian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal. Në programin e vizitës zyrtare të kryetarit të shtetit në Kroaci përfshihet gjithashtu vizita e presidentit Topi në Dhomën Kroate të Tregtisë, ku do të përshëndesë dhe hapjen e Forumit Ekonomik. Po ashtu, presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, do të zhvillojnë një takim dhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton në Kroaci.
Ministri i ri i Punës, Vikto Gumi, betohet para Presidentit të Republikës
Në praninë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të anëtarëve të kabinetit të Presidentit dhe të të ftuarve të tjerë, u zhvillua dje në Pallatin e Brigadave ceremonia e betimit të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Gumi bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, i cili, pasi i dorëzoi dekretin e emërimit, i uroi ministrit Gumi suksese në detyrën e lartë dhe të vështirë. Emërimi i Gumit në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale u bë pas dorëheqjes së dhënë nga ish ministri Anastas Duro, për shkak të bashkimit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me koalicionin opozitar.
20 Maj 2009