Ngrihet akuzë ndaj përfaqësuesit të Toptanëve, falsifikoi dokumentet e pronës së Konomit
Prokuroria ka vendosur që të ngrejë një padi ndaj përfaqësuesit të familjes Toptani, Qemal Mulla, që tashmë do të merret i pandehur. Mësohet se ky i fundit ka falsifikuar dokumentet që kanë lidhje me pronat e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi.
Ai dyshohet se i ka përdorur këto dokumente të falsifikuara për të fituar pronësinë e truallit prej 275 hektarësh në Hamallaj të Durrësit, të cilat u fituan më parë nga familja e Skerdilajd Konomit
Ajo çka është evidentuar, sipas burimeve nga organi i akuzës qendrore, është se dokumentet e pretenduara nga Toptanasit janë totalisht të falsifikuara. Prokuroria thotë se kundërshtarët e Konomit kanë falsifikuar shkresat hipotekore të viteve 1945 dhe 1937 dhe pronën prej 275 hektarësh e kanë kaluar në emrin e tyre, si të trashëguar nga paraardhësit.
Konflikti për pronat është dhe një nga pistat më të besueshme për ekzekutimin makabër të gjyqtarit Konomi. Edhe pse u pohua nga autoritetet më të larta se vrasësit do të gjendeshin shumë shpejt, kjo gjë nuk ka ndodhur, edhe pse kanë kaluar muaj nga ekzekutimi mafioz në qendër të Vlorës.