Rama: Darkimi te Meta, shantazh i drejtësisë. Berisha: Vera, e shkëlqyer
Kryeministri Berisha komentoi dje takimin e tij me Ilir Metën në shtëpinë e këtij të fundit duke e cilësuar si një ngjarje rutinë që nuk ka lidhje me vendimin e gjykatës ditën e hënë. Madje ai e ka kaluar këtë çështje me një batutë duke thënë vera ishte shumë e mirë. Por kryetari i opozitës e ka cilësuar këtë takim si një presion i hapur për Gjykatën e Lartë. Akuza edhe më të rëndë Rama ka hedhur drejt gjykatave shqiptare, të cilat i ka cilësuar si varrmihëse të drejtësisë:.
Berisha
I pyetur dje për arsyen e vizitës në orët e vona të mbrëmjes në shtëpinë e Ilir Metës si dhe për detaje nga ky takim, kryeministri Berisha u përgjigj se ishte një darkë rutinë. Po, Meta më kishte ftuar në një darkë që unë nuk mund ta refuzoja. Unë me Ilir Metën takohem në fakt çdo tre ose katër ditë. Ushqimi ishte i shkëlqyer, por vera ishte akoma më e mirë, ishte e shkëlqyer, u shpreh Berisha në lidhje me takimin me Metën.
Takimi mes Berishës dhe Metës ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në shtëpinë e kreut të LSI-së në zonën e ish-bllokut. Kryeministri ka hyrë në banesën e Metës ndërsa Garda që e shoqëron ka ndaluar lëvizjet në rrugën ku ndodhet kjo banesë. Berisha ka qëndruar për rreth dy orë në shtëpinë e Ilir Metës dhe është parë të dalë prej saj pas orës 22 e 30 minuta të natës. Ai ka hipur në makinë dhe nuk ka bërë asnjë koment për mediat që e prisnin përpara shtëpisë.
Rama
Por kreu i opozitës Edi Rama e ka komentuar ndryshe takimin e dy ditëve më parë si dhe deklaratat e ditëve të fundit të kryeministri Berisha. Në daljen e parë publike në intervistë kryeministri i vendit ka dëshmuar hapur egërsinë e pushtetit ekzekutiv ndaj drejtësisë mu në vigjiljen e seancës gjyqësore që do të japë vendimin për ish zëvendësin dhe aleatin e tij pas një skandali korrupsioni turpërues për Shqipërinë, për shtetin shqiptar dhe për çdo shqiptar pa dallim. Ai ka goditur më një gjuhë mafioze prokurorinë duke e akuzuar për mashtrim të parlamentit dhe ka paralajmëruar arkivimin e çështjes duke dhënë provën e radhës të kontrollit absolut mbi pushtetin e korruptuar gjyqësor,- tha dje Rama.
Sipas tij, PS nuk ka ndërhyrë në këtë çështje sepse ka dashur që të lerë drejtësinë që të punojë pa ndikime politike, por me sa duket kjo nuk ka funksionuar. Tanimë është dita për të thënë se skemi asnjë iluzion. Pas 100 vjetësh pavarësi dhe dy dekadash liri Shqipëria ska asnjë lloj barazie para ligjit dhe gjykatat e saj janë bërë varrëmihëset e drejtësisë dhe ushqyeset e kulturës së pandëshkueshmërisë,- tha Rama.
Edi Rama, kryetari i PS
“Do i propozoja qysh sot qeverisë që ta ndryshojë VKM-në që përcakton se fotografia e Presidentit të Republikës duhet të vendoset në çdo zyrë të lartë të shtetit dhe të administratës shtetërore, për ti dhënë fund banalizimit të skajshëm që është bërë me këtë normë, të respektuar sipas qejfit apo sipas konjukturave politike, me fotografinë e presidentit të radhës. Dhe për të vendosur njëherë e mirë dhe përgjithmonë, në vend të portretit të radhës, portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit”