Ngrihet grupi i punës prokurori-ministri
Ligji
Bëjnë pjesë drejtuesit e prokurorive në rrethe edhe prokurorët me përvojë. “Harrohet” shoqata
Takimi midis numrit një të akuzës dhe ministrit të Brendshëm ka qenë frytdhënës, pasi palët kanë përcaktuar edhe grupin e punës për OPGJ-të. Krerët më të lartë të prokurorisë dhe të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit, kanë rënë dakord për ngritjen e një grupi pune me ekspertë për të përgatitur raporte që do të serviren më pas në Ministrinë e Drejtësisë. “Në fund të takimit u ra dakord që ekspertët më të mirë të fushës të prokurorisë e policisë të diskutojnë të gjitha modalitetet e nevojshme për projektligjin e ri të policisë gjyqësore”, thanë burimet nga akuza qendrore, të cilat shtojnë se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të marrë mendimet e disa drejtuesve të prokurorive të rretheve, për t’i paraqitur më pas në formën e një raporti pranë Ministrisë së Drejtësisë. “Drejtuesit e prokurorive të rretheve, por edhe prokurorë me përvojë në sistemin e akuzës, do të pyeten për këtë projektligj në lidhje me statusin e oficerëve të policisë gjyqësore. Më pas, mendimet e tyre, të përmbledhura në formën e një raporti, duke u ballafaquar me pretendimet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë”, thanë burimet nga akuza, duke “harruar” sërish Shoqatën e Prokurorëve. Nga mendimet e para, prokurorët kanë shfaqur dyzim në lidhje me varësinë që mund të kenë oficerët e policisë gjyqësore. Disa mendojnë se dosjet duhet të hetohen nga prokurori, dhe të tjerë mendojnë se oficerët e policisë gjyqësore duhet të plotësojnë një dosje apo procedim penal me të gjithë elementet. Roli i prokurorit mendojnë diskutuesit, është udhëheqës dhe përfaqëson akuzën në gjykatë, ndërsa është oficeri i policisë gjyqësore, i cili kryeson hetimet. Megjithatë, e vetmja pikë që prokurorët bien dakord, është se hetuesit që janë në marrëdhënie pune me prokurorinë duhet të mos ndryshojnë varësi, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte punën e deritanishme.
Akuza qendrore do t’i kërkojë Ministrisë së Drejtësisë dhe të Brendshme që hetuesit që janë aktualisht në marrëdhënie pune me prokurorinë të vazhdojnë të jenë. “Nëse hetuesit tanë kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme, atëherë shumë procedime penale, apo dosje konkrete do të dëmtoheshin”, thanë burime nga prokuroria.
#