Reforma e ekzekutivit në qeveri
“Hetuesia”
Ekzekutivi, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, është i bindur se oficerët e policisë gjyqësore që punojnë në prokurori të jenë në varësi të Ministrisë së Brendshme, pasi në këtë mënyrë do të jetë një institucion që do të mbajë përgjegjësitë për çdo procedim penal. Projektligji i ri për policinë gjyqësore, që po merr formë në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, do të largojë nga radhët e prokurorive rreth 100 oficerë të policisë, të cilët janë pranuar në detyrë me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Një pjesë e mirë e oficerëve të policisë gjyqësore që kishin marrëdhënie financiare me Ministrinë e Brendshme, kanë kaluar në varësi të policisë pas një memorandumi bashkëpunimi midis ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe kryeprokurores Ina Rama. Zbatimi organik i këtij memorandumi, i cili do të kthehet në ligj tashmë, ka lëvizur qindra oficerë të policisë gjyqësore në shkallë vendi, të cilët punonin të atashuar pranë prokurorive në rrethe, edhe pse në aspektin organik vareshin nga Policia e Shtetit dhe paguheshin nga buxheti i kësaj të fundit. Memorandumi parashikonte zhvendosjen e hetimeve nga prokuroria në polici. Hetimet e dosjeve penale do të bëhen në polici, madje edhe fashikujt që përmbajnë provat dhe materialet e dosjeve do të mbahen në komisariatet dhe drejtoritë e policisë.
#