Zhduket në traget 23-vjeçarja, familjarët denoncojnë në polici
Vlorë
Zhduket një 23-vjeçare në tragetin e linjës Brindisi-Vlorë, familjarët e vajzës denoncojnë në polici. Mësohet se e reja me inicialet A.A ka shkuar në Itali para disa javësh me një vizë të rregullt. Mbasi ka mbaruar pushimet, familjarët e saj e kanë nisur për në Vlorë, ku ajo jeton. Në kohën që mendohej se vajza duhet të kishte mbërritur në Shqipëri, kanë tentuar të lidhen me të në telefon, por ajo nuk u është përgjigjur. Më pas të afërmit kanë marrë kontaktuar me familjarët, të cilët nuk e dinin që vajza kishte mbërritur në Shqipëri. Pas kësaj të afërmit janë interesuar në pikën e kalimit kufitar të Vlorës, por nga verifikimi i listës së udhëtarëve ka rezultuar se emri i vajzës nuk ka qenë i regjistruar, çka do të thotë se e reja nuk ka hyrë në pikën e kalimit kufitar të Portit të Vlorës. Ndërkohë, të afërmit e 23-vjeçares kanë bërë denoncim në komisariatin e policisë për zhdukjen e vajzës. Policia ka filluar hetimet dhe po punohet në dy pista: zhdukja e vajzës duke u hedhur nga trageti në det, dhe pista e dytë është ajo e arratisë së vajzës. Ajo mund të ketë hyrë në traget dhe para se të nisej trageti ka zbritur përsëri, por nuk është kthyer te të afërmit e saj.
#