Ngrin Kukësi, shkrijnë Dukagjini e Vermoshi
Gjatë natës së shkuar në rajonin e verilindjes ka pasur reshje të lehta shiu, që për shkak të temperaturave të ulëta ka veshur me akull gjithçka, rrugët dhe pemët. Për pasojë, në akset kryesore nacionale janë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Kështu në Qafë-Mali për disa orë qarkullimi ka rënë në konfuzion pasi një numër automjetesh të tonazhit të rëndë kishin mbetur në akull. Edhe brenda qytetit të Kukësit akulli ka vështirësuar lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve. Në mënyrë të veçantë, nxënësit e shkollave e kanë pasur tepër të vështirë të udhëtojnë për shkollë, një pjesë e të cilëve kanë munguar, ndërsa të tjerë janë detyruar të mbathin çorape mbi këpucë për të ecur deri në shkollë. Rreziku nga akulli ka qenë po aq evident edhe në zonat rurale ku akulli ka veshur jo vetëm rrugët, por edhe muret e shtëpive dhe pemët. Të gjitha rrugët rurale kanë qenë të pakalueshme, pasi asnjë mjet nuk është parë në to për të hedhur kripë apo skorie. Edhe aksi i rrugës Kukës-Prizren, i veshur me akull ka qenë pothuajse i pezulluar gjatë gjithë paradites së djeshme. Një situatë e tillë përsëritet në Kukës njëherë në 10 apo 15 vjet duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, por edhe në linjat elektrike dhe të ujësjellësit. Ndërkohë, në Qarkun e Dibrës, edhe pse pa reshje, gjendja e rrugëve ka qenë problematike. Ende tri komuna në Qarkun e Dibrës dhe konkretisht ajo e Lurës, Klenjës dhe Xibër-Murrizës, vazhdojnë të jenë të izoluara prej më shumë se dy javësh. Të paktën kështu deklarohet zyrtarisht nga strukturat vendore në rrethet përkatëse, Dibër, Bulqizë dhe Mat. Por numri i fshatrave të veçantë në zona të thella malore, të këtij qarku, që kanë mbetur të izoluar është shumë i madh. Akset rrugore nacionale, Peshkopi- Burrel dhe Peshkopi - Kukës kalohen vetëm me zinxhirë, madje prej dy ditësh rezultojnë të mbuluar me akull, duke e vështirësuar akoma më tepër lëvizjen. Ndërkohë, aksi tjetër nacional ai Ura e Çerenecit-Klenjë vazhdon të jetë i pakalueshëm, pasi është ende i pahapur. E përmirësuar paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku sipas autoriteteve është arritur të zhbllokohen pas gati një muaji rrugët e Dukagjinit dhe Vermoshit. Prej disa ditësh, mjetet borëpastruese janë angazhuar për të hapur rrugët Tamarë -Vermosh dhe Mali i Shoshit - Shalë. Për fat, puna e borëpastruesve është ndihmuar dhe nga reshjet e shiut, të cilat kanë bërë që dëbora dhe shtresat e akullit të nisin të shkrijnë pak nga pak. Sipas drejtorit të rrugëve rurale të Qarkut Shkodër, Gjovalin Kodra, rruga e Vermoshit dhe Dukagjinit tashmë janë të hapura, por duhet bërë kujdes që ende të lëvizet me zinxhirë, pasi shtresa e akullit që mund të ngrijë gjatë natës mund të bëhet serioze, duke provokuar aksidente.. Por ndërsa në Malësi të Madhe dhe Shkodër zonat malore kanë nisur pak nga pak t‘i kthehen normalitetit, situata e rënduar me bllokim rrugësh është në rrethin e Pukës ku rreth 13 fshatra në komunat e thella si: Iballa, Qafë-Mali dhe Fierzë vazhdojnë të jenë të izoluara nga ngricat e krijuara.