E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet peshkatorja në Gjirin e Vlorës, shpëton ekuipazhi

Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë bërë që një peshkatore të fundoset dje në orët e para të mëngjesit në gjirin e Vlorës. Fatmirësisht, pesë pjesëtarët e ekuipazhit të anijes së vogël arritën të shpëtonin falë ndihmës së Rojave Bregdetare Shqiptare. Siç bëhet me dije nga Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Emigracionit në Vlorë, anija e peshkimit "Nikolaos" ka kërkuar ndihmë në mesnatë, saktësisht në orën 00:05 të së mërkurës. Anija kishte dalë disa orë më herët për gjueti sardeleje në gjirin e Vlorës, pranë vendit të quajtur Shën Jani, pranë gadishullit të Karaburunit.

Nga informacionet që jep policia kufitare, është komunikuar fillimisht me pronarin e peshkatores, Alfred Osmani, i cili ka konfirmuar se ndodheshin rreth dy milje në jugperëndim të Triportit dhe u ishte fikur motori. Sipas pronarit, mjeti lundrues kishte filluar të merrte ujë dhe ekuipazhi prej pesë personash rrezikonte të mbytej.

Me të marrë këtë informacion janë njoftuar të gjitha strukturat e shërbimeve të Qarkut të Vlorës. Për shkak të valëzimit të lartë detar dhe stuhisë në det, mjetet e lundrimit të stacionit të policisë kufitare në Triport e kishin të pamundur të ofronin ndihmën e kërkuar. Për këtë arsye nga ana e shërbimeve të Rojës Bregdetare në Sazan u vu në dispozicion Roja Bregdetare nr.217, një anije më e madhe se ato të patrullimit. Por edhe kjo anije për shkak të kohës së keqe nuk dha dot ndihmë.

Në këto kushte në bashkëveprim me Kapitanerinë e Portit të Vlorës dhe me Guardia di Financia-n italiane u nisën në drejtim të peshkatores në rrezik dy rimorkiatorë. Ndërkohë, për shkak të erës së fortë, anija ishte zhvendosur nga Shën Jani dhe ndodhej përballë kodrës së Zvërnecit, rreth një milje në afërsi të bregut.

As rimorkiatorët që u nisën nga porti detar nuk kanë mundur të ndihmojnë peshkatoren për shkak të motit të keq. Vetëm rreth orës 02:40 të mëngjesit, falë përpjekjeve të ekuipazhit, anija ka mundur të hyjë në cektinë. Aty ekuipazhi u ndihmua të largohej nga zona nga efektivët e shërbimeve policore.

Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, në Qarkun e Vlorës bëri të ditur se "kushtet e papërshtatshme të motit dhe era e fortë, bënë që peshkatorja të përballej me vështirësi të paparashikuara nga ekuipazhi. Pronari i saj, Alfred Osmani, si dhe katër pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit, arritën të shpëtonin të ndihmuar nga forcat policore të bregdetit. Aktualisht, mjeti lundrues ndodhet në breg të detit, gjysmë i mbytur, në afërsi të kodrës së Zvërnecit, përballë pikës së vrojtimit të radarit. Ai do të nxirret në pritje të qetësimit të detit". Policia tha se personat e shpëtuar që ndodheshin në bordin e peshkatores "Nikolaos" janë: Alfred Osmani, Xhevahir Hasani, Pajtim Veizi, Genci Shehu dhe Njazi Abazi
Vlorë

Ndotet nga

nafta deti

Një sasi e madhe nafte ka ndotur dje në orët e para të mëngjesit ujërat në afërsi të Portit Detar të Vlorës. Sipas punonjësve të portit, kjo sasi nafte që ka pushtuar bregdetin e Vlorës ka ardhur nga zona e Karaburunit ku një anije po kryente punimet për riparimin e saj. Era e fortë dhe deti i trazuar, këtë sasi nafte të derdhur në det e ka sjellë në brigjet e Vlorës. Nuk është hera e parë që anije të ndryshme derdhin naftë në det. Të dyja kalatat e Portit të Vlorës sot reflektonin nga ngjyra të ndryshme të naftës e cila në ujë ishte në sasi të konsiderueshme. Sipas specialistëve, e gjitha kjo sasi nafte do të shkojë në fund të detit ku pasojat për mjedisin do të jenë tepër të mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›