E Diel, 1 Nëntor 2026

Besëlidhja mund Dinamon, rihapet kampionati

Takimi i vetëm i luajtur në javën e 24-t ka dhuruar një surprizë të pamenduar, pasi Besëlidhja ka arritur të mundë Dinamon kryesuese. Lezhjanëve u ka mjaftuar një fitore minimale 1-0 për të ringjallur shpresat e tyre për mbijetesën në Kategorinë Superiore, pasi i janë bashkuar Teutës dhe Kastriotit në kuotën e 23 pikëve. Por njëkohësisht, ekipi i drejtuar nga Ilir Gjyla u ka dhënë një tjetër shans skuadrave që luftojnë për titull, pasi humbja e Dinamos e bën të paparashikueshme renditjen për javët në vazhdim.

Në takimin e luajtur në Lezhë, Besëlidhja dhe Dinamo kanë qenë të vetmet skuadra që kanë vendosur të respektojnë kampionatin duke luajtur ndeshjen mes tyre. Ekipet nuk kanë harruar tragjedinë e javës së kaluar në Gërdec, pasi kanë mbajtur një minutë heshtje para fillimit të sfidës që është luajtur me të gjithë lojtarët që mbanin një shirit të zi në krah. Që në fillimin e ndeshjes, ka qenë skuadra lezhjane që ka kontrolluar lojën, pasi ka arritur të bllokojë mesfushën e rrezikshme të bluve. Pas disa rasteve radhazi para portës së Kotorrit, lezhjanët kanë gjetur golin e avantazhit me anë të Ivanajt në minutën e 30-të, duke entuziazmuar tifozët e pranishëm në stadium. Në fundin e pjesës së parë, lezhjanët kërkojnë edhe një 11-metërsh, por gjyqtari Pashaj bënë shenjë që loja të vazhdojë, pavarësisht kontestimeve të vendasve. Në pjesën e dytë, pritet reagimi i bluve, por është përsëri Besëlidhja që rrezikon me anë të Ngjelës, i cili në këtë ndeshje luante edhe rolin e mesfushorit, duke u kthyer shumë herë pas për të ndihmuar skuadrën edhe në prapavijë. Në minutat e fundit të takimit, dinamovitët kanë kërkuar me ngulm golin e barazimit, por Koçi ka shpëtuar disa herë portën e tij me pritje të sigurta duke siguruar tri pikë mjaft të vlefshme për ekipin e Besëlidhjes.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›