E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet taktika e Berishës për ti vënë ambasadorët e BE-së kundër SHBA-ve

Në konferencën e kryeministrit ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadave të BE-së. Mungonte vetëm përfaqësuesi e Ambasadës Amerikane në Tiranë

Kryeministri Berisha, vetëm pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp, deklaroi vendimin më të fundit të tij për t’u kërkuar vendeve të Bashkimit Europian hetues për çështjen “Fazlliç”. Por gjatë kësaj konference është vënë re për herë të parë prania e përfaqësuesve të ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë. Nga ana tjetër është vënë re dhe mungesa e përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur për gazetën se mungesa e përfaqësuesit të SHBA-ve në këtë konferencë ka qenë e qëllimtë. Sipas tyre, kryeministri Berisha ishte në pritje të një reagimi të fortë kundër nismës së tij nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, por shpresonte të gjente mbështetjen e ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian. Pikërisht për këtë arsye, gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se do të kërkojë hetues ndërkombëtarë, duke përmendur vende të Bashkimit Europian, por jo nga SHBA-të. Por me gjithë shpresën e kryeministrit Berisha se do të gjente mbështetjen e ambasadave europiane në Tiranë, në fakt ndodhi e kundërta.
Reagimet
Fill pas deklaratës së kryeministrit Berisha, ashtu sikurse pritej, e para që ka reaguar ka qenë Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Nëpërmjet zëdhënësit për shtyp ambasadori Uidhers ka kritikuar nismat e reja të qeverisë duke i cilësuar ato përpjekje për të cenuar pavarësinë e institucioneve të pavarura. Por në mbrëmjen e ditës së hënë ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë kanë zhvilluar një takim në ambientet e Ambasadës Franceze ku kanë biseduar rreth situatës politike në Shqipëri. Burimet kanë bërë të ditur se diplomatët kanë shqyrtuar të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur që nga vizita e Fazlliçit, konfliktin midis Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme me Prokurorinë dhe deklaratën më të fundit të Berishës për të krijuar një hetim të trefishtë për mikun e tij, biznesmenin boshnjak, Fazlliç. Më pas ambasadorët kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, e cila u publikua vetëm një ditë pas reagimit të Ambasadës së SHBA-ve. Kjo deklaratë ishte në të njëjtën linjë, madje dhe më e ashpër se deklarata e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-ve. Ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë i bënë thirrje qeverisë që të respektojë parimet e kushtetutshmërisë, ku bëjnë pjesë pavarësia ndaj institucioneve si dhe llogaridhënia ndaj ligjit. Në deklaratën e tyre ambasadorët e BE-së kanë shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. “Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. Ne u bëjmë një thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të ambasadorëve të BE-së në Shqipëri. Ky ka qenë një ndër reagimet më të forta të bëra nga faktori ndërkombëtar në Shqipëri, të cilët njëzëri kritikuan qeverinë dhe morën në mbrojtje Prokurorinë e Përgjithshme.
Incidenti
Në fakt kjo nuk është hera e parë që kryeministri Berisha mundohet të shmangë Ambasadën e SHBA-ve duke krijuar idenë e një përplasjeje midis saj dhe qëndrimit të ambasadave të vendeve të BE-së në Tiranë. Gjatë krizës së vitit 1997 presidenti i asaj kohe iu drejtua Bashkimit Europian për të sjellë trupa paqeruajtëse në Shqipëri, duke shmangur përfshirjen e NATO-s, ndërkohë që dihet që NATO-ja drejtohet kryesisht nga SHBA-të. Po kështu Berisha shpeshherë është munduar të shmangë dhe prezencën e OSBE-së, e cila në përbërjen e saj ka të përfshirë dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›