BE, Basha: Liberalizimi i vizave, në fund të 2009-s
Shqipërisë mund t’i liberalizohen vizat në fund të vitit 2009 dhe një fakt të tillë e konfirmuan dje ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në Takimin Informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku mori garanci se Shqipëria do të përkrahet në ambiciet e saj. Basha tha se ka një optimizëm që Shqipëria të ketë liberalizim vizash në fund të këtij viti. “Siç e tha edhe komisioneri Ren gjatë takimit, ka një optimizëm për sa i përket përfundimit me sukses të këtij procesi brenda afateve të përcaktuara, që është fundi i këtij viti”, - deklaroi Basha.
Presidenca Çeke e BE-së, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian ndanë me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të rajonit vullnetin e tyre të përbashkët për sa i përket domosdoshmërisë së liberalizimit të plotë të regjimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbështetur në të dhënat paraprake të misioneve faktmbledhëse, përfaqësuesit e Presidencës, të vendeve anëtare dhe komisionit, shprehën optimizëm të matur për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2009.
Temat kryesore të këtij takimi ishin ecuria e proceseve të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, procesi i liberalizimit të vizave, situata ekonomike dhe mbështetja financiare që Komisioni Evropian do të japë në këtë drejtim, si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal. Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian rikonfirmuan perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në Axhendën e Selanikut dhe shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe duke e konsideruar integrimin e tij të plotë në union si vitale për stabilitetin e prosperitetin e rajonit dhe vetë Evropës.
Aplikimi në BE
Ministri i Jashtëm, Basha, mori mbështetje edhe për aplikimin për në BE. “Ashtu si gjatë punimeve, por edhe gjatë takimeve me kolegët e mi, gjeta vetëm mbështetje të plotë dhe mirëkuptim për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe për fazën tjetër të këtij procesi që vjen, natyrisht që është aplikimi për anëtarësimin e plotë për në BE”, - tha Basha. Sipas tij, vendi është gati për të bërë aplikimin. Ministri Basha pati rastin të takohet e të bisedojë me një numër të madh kolegësh dhe përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian. Gjatë gjithë këtyre takimeve, Basha mori mbështetjen dhe mirëkuptimin e tyre të plotë për vijimin e proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tha më tej se Shqipëria do të koordinojë hapat e domosdoshëm, për të gjetur mundësinë e aplikimit brenda Presidencës Çeke. “Shqipëria beson në ecjen e natyrshme përpara në procesin e integrimit evropian të rajonit, mbështetur në meritat dhe performancën individuale të çdo vendi, dhe në këtë kontekst, ajo mbetet e vendosur të koordinojë me Presidencën Çeke vendet anëtare dhe Komisionin Evropian, hapat e mëtejshëm për avancimin e integrimit evropian të vendit”, - shtoi ministri shqiptar, Basha.
Gjatë fjalës të tij, ministri Basha falënderoi Presidencën Çeke për vendosjen e Ballkanit Perëndimor dhe të proceseve integruese të tij në BE, si prioritete të aktivitetit të saj në këto 6 muaj. Ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për të gjitha vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e MSA-së. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit hyn në fuqi më 1 prill, - vijoi ministri Basha, - dhe në të njëjtën javë Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. “Shqipëria është e vendosur të vijojë rolin e saj konstruktiv në rajon, si një faktor moderimi, stabiliteti, dialogu e tolerance. Ajo mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, e do të vazhdojë të kontribuojë në projektin evropian e euro-atlantik të rajonit me të gjitha mjetet e mënyrat”, - deklaroi Basha. Pas vlerësimeve pozitive dhe inkurajuese të ministrave të Jashtëm të BE-së për suksesin e reformave dhe rolin e Shqipërisë në rajon, ministri Basha u shpreh se procesi i integrimit evropian është një histori suksesi e përbashkët e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, përshpejtimi i sforcuar i këtij procesi nuk i shërben as vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe as vetë procesit. Njëkohësisht, Basha theksoi se ngadalësimi artificial i tij mbart rreziqe jo vetëm për procesin e integrimit, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon.
Luksemburg, Asselborn: Shqipërisë do t’i liberalizohen vizat në fund të vitit
Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, deklaroi dje se Shqipërisë do t’i liberalizohen vizat në fund të këtij viti. Ministri Asselborn e bëri këtë deklaratë në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian. Sipas tij, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, ndaj dhe asaj duhet t’i hapen dyert. “Ne mbështesim plotësisht liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor. Kjo është e qartë sot. Shqipëria ka bërë progres të dukshëm dhe mendoj se do të jetë njëri prej këtyre vendeve që do të përfitojë brenda këtij viti”, - tha ministri Asselborn. Luksemburgu shprehet se Shqipëria është gati për proceset integruese. “Dyert dhe zemrat tona janë të hapura”, -deklaroi më tej ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn.
Hyseni: Njohje të reja për Kosovën
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së merrte pjesë zyrtarisht edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Për herë të parë në një format të tillë ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili mbajti edhe një fjalë gjatë Takimit me Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Duke folur për mediat, Hyseni mbërriti në takimin e ministrave të Jashtëm pas vizitës së tij në Nju Jork të SHBA-së, ku sipas tij, mori mbështetje për njohje të mëtejshme të Kosovës nga shtete të tjera. “Kjo duket se ka evoluar në qëndrimin e shumë vendeve. Mund të priten njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës”, - tha Hyseni. Në takimin e ministrave të Jashtëm, Kosova zuri një vend të veçantë edhe në deklaratën e përbashkët. Për herë të parë, Serbia detyrohej që të ulej në një tavolinë me përfaqësuesin më të lartë diplomatik të Kosovës. “Takimi ishte i rëndësishëm, sepse ishte një takim i parë i këtij formati, në të cilin Kosova flet për vetveten dhe askush nuk flet në emër të Kosovës. Ishte një rast i shkëlqyer për Kosovën, për të paraqitur perspektivat e saj evropiane. Ishte një rast i mirë për të shtruar kërkesat e Kosovës, në mënyrë që Kosova të mos përjashtohet nga një asnjë politikë e BE-së, qoftë nga liberalizimi i vizave, qoftë nga programet për asistencë”, - deklaroi Hyseni.
250 milionë euro për vendet e Ballkanit
Ministrat e Punëve të Jashtme, të pranishëm në këtë takim, diskutuan edhe mbi krizën financiare dhe ekonomike. Duke u bazuar edhe në argumentet dhe kërkesat që ministrat e rajonit shprehën gjatë mëngjesit të punës me zv.kryeministrin çek, Aleksandër Vondra, u ra dakord për një paketë ndihme prej 150 deri 250 milionë euro në mbështetje të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto fonde do të përdoren për mbështetjen e ekonomive të Ballkanit, për t’i pasur më të lehta efektet e krizës botërore. Sipas Bashës, nga këto fonde do të përfitojë edhe Shqipëria, të cilat do të përdoren për mbajtjen stabël të monedhave vendase, si dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. “Për të ndihmuar në fusha të tilla, si mbajtja e një kursi këmbimi stabël mes euros dhe monedhave të tjera të vendeve tona, por edhe për sektorë të tjerë të ekonomisë”, - deklaroi Lulzim Basha.