Teatri i Metropolit; Betejë vlerash, si në teatër
Teatri është një “Kopsht vishnjash” i besueshëm, por thelbi i shfaqjes është një parabolë, sepse ne sot nuk jemi në gjendje t’u japim përgjigje pyetjeve të dikurshme që janë bërë aktuale. Si t’i shpëtojmë librat dhe bibliotekat? ǒtë bëjmë me teatrin dhe sallat? Ka shumë “Kopshte vishnjash” që bëhemi gati t’i presim? Çfarë të bëjmë kur “pronarët e rinj” arrijnë? Të tërhiqemi apo të bëjmë aleancë me ta, t’i luftojmë fitimtarët e shekullit që sapo ka filluar? Sot jemi në një betejë vlerash. Vetëm kryeveprat lejojnë t’iu afrohemi problemeve që rikthehen.
Shfaqja në mënyrë simbolike paraqet “kompleksin e kopshtit”, që ka të bëjë me gjymtimin psikologjik dhe shpirtëror që i krijohet njeriut kur humb gjënë më të mirë të vetes apo të jetesës, një pronë, një pasion, një profesion, një nder. Me humbjen e kopshtit, “pronarët e vjetër” humbin ëndrrën, prejardhjen, identitetin që nuk janë çështje materiale, por psikologjike, botëkuptimore.
Edhe jeta e njerëzve të artit nuk ka kuptim pa dedikimin ndaj profesioneve tona. A duhet të mësojmë deri në fund mençurinë e të larguarit nga ato, e heqjes dore, apo përkundrazi të vazhdojmë deri në fund? Kur shohim njerëz të artit që kanë hequr dorë nga “iluzionet e kaluara” dhe janë bërë pasanikë, duke u marrë me tjetër gjë, këmbëngulja jonë mund të duket e dyshimtë, por kultura nuk është ideologji që i iku mosha apo koha dhe të merresh me të në kohëra të vështira kur ajo perëndon përkohësisht, është të kesh shijen e “fisnikërisë së dështimit”, të cilën japonezët e quanin virtyti numër një i heroit. Njerëzit e teatrit që besojnë ende në fuqinë e skenës duken si mbretër të ringjallur që kanë qenë të eliminuar nga “partizanët e të dobishmes”, të cilët i presin kokën pemëve. Megjithatë ata harrojnë se teatri më tepër se një art është një qëndrim i njeriut përballë jetës. Ky qëndrim është i shenjtë. Secili është mbret më vete, ndonëse drita sallash fiken përgjithmonë dhe spektatorët janë gjithnjë e më të rrallë. Kjo shfaqje do të vijë me regji të Kiço Londos dhe as/regjisor Adelina Muçës. Muzika që do të shoqërojë këtë shfaqje është e kompozuar nga Shostakoviç, ndërsa skenografia vjen nga Berinda Kokona. Aktorët që do të interpretojnë në rolet kryesore janë Eni Jani, Alban Krasniqi, Loredana Gjeci, Roland Saro, Bledar Naska, Adriana Tolka, Devis Muka, Orjana Cama, Ledjan Papagjoni, Marvin Tafaj, Valon Pallaska, Genti Decka, Esela Pysqyli. Kjo shfaqje pritet më 2 prill, që do të vijojë deri më 3 maj.