E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi,zemërimi dëmton zemrën



Kërkime të reja në këtë fushë tregojnë se zemërimi prish qëndrueshmërinë e valëve elektrike të zemrës, gjë që mund të shkaktojë çrregullim të ritmit në rrahjet e zemrës. Ritmi jonormal mund të shpjegojë arsyen përse ndonjëherë zemra pushon papritur, kur njeriu përballet me tronditje, dëshpërim të thellë a stres ekstrem. Këto dhe të dhëna të tjera të ngjashme i bëjnë ekspertët të mendojnë se emocionet e forta mund të ndikojnë për ndalje të papritur të rrahjeve të zemrës. Por, është ende e paqartë se në ç’mënyrë zemërimi, tronditja e thellë, trishtimi a dëshpërimi mund të dëmtojnë zemrën. Studimi i ri lë të kuptohet se emocionet e forta mund të ndryshojnë drejtpërdrejt stabilitetin elektrik të zemrës. Shkencëtarët pranë Universitetit Yale morën në shqyrtim 62 pacientë që përdornin pajisjen e implantuar në trup për trajtimin e sëmundjes së tyre në zemër.

Shkencëtarët u kërkuan pjesëmarrësve në studim që të kujtonin një kohë kur ata ishin ndier të zemëruar dhe vëzhguan veprimtarinë e zemrës për të parë nëse do të ndodhte ndonjë ndryshim. Gjatë këtij vëzhgimi me aparat, shkencëtarët vunë re se zemërimi shkaktoi tronditje në valët elektrike të zemrës dhe se disa pacientë reaguan më shumë se të tjerët ndaj zemërimit. Një vit pas këtij eksperimenti, personat që kishin reaguar më fort ndaj zemërimit, kishin ndier nevojën e ndërhyrjes së aparatit për të rivendosur ritmin normal të rrahjeve të zemrës. Shkencëtarët mendojnë se ky çrregullim në zemër, si pasojë e zemërimit, ka të ngjarë të shkaktohet nga një vërshim i adrenalinës. Ekspertët thonë se ruajtja e qetësisë shpirtërore ndihmon në zbutjen e rrjedhës së adrenalinës. Për të kontrolluar zemërimin, ekspertët rekomandojnë përdorimin e teknikave qetësuese, përfshi frymëmarrje të thellë dhe ushtrime jo stresuese si jogën ose ecjen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›