E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja, zhduken "gjurmët" e Ilir Kumbaros në Shqipëri

Zhduken të gjitha "shenjat"
e Ilir Kumbaros, i akuzuar
dhe i pandehur për rrëmbimin
e Remzi Hoxhës, gjatë kohës
që drejtonte SHIK-un e Tiranës,
në vitin 1995. Prokuroria
shqiptare nuk ka dërguar asnjë
gjurmë apo provë që të vërtetojë
se personi i arrestuar, disa javë më
parë në Angli, dhe i vetëquajtur
Shaqa Shatri, është Ilir Kumbaro.
Në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë
apo në zyrat e regjistrit të gjendjes
civile nuk ka asnjë "dosje" me prova
që mund të përdoren për njohjen
e Kumbaros, në gjykatën
londineze. Madje, prova e vetme
e drejtësisë shqiptare është vetëm
një foto e disa viteve më parë, ku
transformimi i tij, për togat e zeza
në Angli, mund të hedhë poshtë
gjithçka. Burime zyrtare nga akuza
qendrore thanë dje se kanë
përpiluar dosjen me kërkesën për
ekstradim të Ilir Kumbaros në Shqipëri.
Provat e akuzës shqiptare
janë dëshmitë e personave të
rrëmbyer nga SHIK-u në vitin
1995, por ato nuk mund të përcaktojnë
se personi i arrestuar në
Angli është Ilir Kumbaro. Drejtësia
angleze i kërkoi prokurorisë
shqiptare të hartonte një material
për të përcaktuar identitetin e
personit të arrestuar, i dyshuar si
Ilir Kumbaro dhe i vetëquajtur
Shaqa Shatri. Hetuesit shqiptarë
kanë kërkuar "gjurmë" ose "shenja"
të Kumbaros në Shqipëri. I
kanë depozituar një kërkesë
SHIK-ut për gjurmë gishtash të tij
nëpër dokumentet që ka "kaluar
nëpër dorë", në kohën që ka qenë
drejtues për Tiranën. Por, përgjigjja
ka qenë e prerë: nuk ka asnjë
provë apo gjurmë të Ilir Kumbaros
në dosjen e tij, gjatë kohës që ka
punuar. Madje, ka informacione
se të gjitha shenjat e tij janë zhdukur
nga ish-zyrtarët e Shërbimit
Inteligjent Shqiptar. Zyrtarisht,
Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare
tha dje se të vetmet prova,
që do të nisen për njohjen e
Kumbaros në Angli, janë dëshmitë
e bashkëpunëtorëve të tij të
ngushtë dhe një foto e realizuar
vite më parë. Por, ajo çfarë kërkon
drejtësia angleze është: çfarë ka të
përbashkët personi i vetëquajtur
Shaqa Shatri dhe Ilir Kumbaro? A
ka elementë të përbashkët të arrestuarit
në Angli me ish-zyrtarin
e lartë të SHIK-ut shqiptar? Ku ka
banuar dhe a rezulton i regjistruar
në ndonjë gjendje civile? Po
gjurmë gishtash dhe nga sa
pjesëtarë përbëhet familja e tij?
Megjithëse janë pyetje rutinore,
drejtësia shqiptare nuk ka mundur
t‘i përgjigjet, pasi dosja e tij në
SHIK është fshirë. Mos përcaktimi
i të dhënave të mësipërme vë
në rrezik seancën e radhës më 29
nëntor, në Angli, për të përcaktuar
identitetin e tij. Edhe nëse përcaktohet
identiteti në seancën e
radhës, të tjera procese gjyqësore
priten të fillojnë për të kundërshtuar
kërkesën e palës shqiptare për
ekstradimin e Ilir Kumbaros.
Ndërkohë, procesi për zhdukjen
e Remzi Hoxhës në
Gjykatën e Krimeve të Rënda ka
hyrë në një fazë interesante, atë të
dëshmisë të zyrtarëve të lartë të
shtetit, që kanë pasur dijeni për
këtë fakt. Një seancë më parë,
dëshmoi ish-ministri i Brendshëm,
Agron Musaraj. Ai tha se
nuk ka pasur dijeni për rrëmbimin
e Ziso Kristopulit, Remzi Hoxhës
dhe Avdyl Loshajt. Ndërkohë, seancën
tjetër pritet të dëshmojnë
Fatos Klosi dhe Agim Shehu, i
pari ish-drejtor i SHIK-ut dhe i
dyti ish-drejtor i Përgjithshëm i
Policisë së Shtetit. Gjithashtu në
seancën kundër katër ish-drejtuesve
të SHIK-ut pritet të lexohet
edhe dëshmia e të ndjerit
Bashkim Gazidede, dhënë para
hetuesve të çështjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›