Ngushtë me bukë

Kosovarët do të goditen për të dytën herë brenda muajit me ngritjen e çmimit të bukës. Ngritja prej 5 centësh pritet të ndodhë në fillim të javës. Kjo sipas furrtarëve ka ardhur si rezultat i ngritjes së çmimeve të miellit dhe të karburanteve. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ulja e TVSH`së do të ndikonte në nivelizimin e çmimeve të artikujve kryesorë për ekzistencën e popullatës. Halit Xoxa, kryetar i Shoqatës së furrtarëve, thotë se lëvizja e çmimeve në këtë mënyrë, është pasojë e mungesës së rezervave të grurit.
“Po ndodh kjo që po e shohim për shkak se jemi të varur nga importi dhe furrtarët punojnë me çmime që iu përgjigjen atyre, e kur janë të detyruar të rrisin edhe e bëjnë këtë”, thotë Xoxa.
Ai tregon se me fillimin e javës, buka do të ngrihet për 5 centë. Para dy muajve u ngritën mielli e gruri, por edhe buka, dhe ata furrtarë të cilët nuk e patën marrë këtë hap, tani do ta marrin dhe buka do të bëhet 40 centë”, ka thënë Xoxa.
Muhamet Farizi, nga Shoqata e mullisëve, thotë se çmimi në vend nuk varet prej prodhimit edhe sasisë së grurit. Ai tregon se vlera e lartë e TVSH’së për këto produkte ndikon drejtpërdrejt edhe në çmimin e lartë të bukës.
“Në mënyrë zinxhirore çmimi i bukës varet prej sasisë botërore në ekonominë globale. Por është edhe një fakt tjetër që po ndikon në këto ngritje kohë pas kohe. TVSH’ ja e lartë që është për grurin po e rrit edhe çmimin e bukës. Ishte premtuar se do të ulej, por kjo nuk ndodhi, edhe pse të gjitha vendet e rajonit e kanë më të ulët”, thotë Farizi.
Sipas tij, edhe vërshimet që kanë ndodhur në disa pjesë të Evropës kanë ndikuar në mosplotësimin e nevojave botërore me grurë.
“Sipas statistikave, pas muajit shtator ka filluar që konsumi botëror të jetë më i madh se prodhimi botëror. Raporti që kemi marrë për muajin nëntor, tregon se prej 22 milionë tonëve sa ka qenë prodhimi botëror, më pak sesa konsumi tash ka kaluar në 19 milionë tonë”, thotë Shefki Ostergllava, pronar i furrës “Sheki”.
“Këtë ngritje po e bëjmë jo nga dëshira, por ngase është shtrenjtuar mielli dhe karburantet kanë arritur në vlera më të larta”.
Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, deklaron se Qeveria duhet të marrë një vendim që çmimi i bukës të jetë më i arsyeshëm për nivelin e pagave që e ka popullsia.
“Në të gjitha vendet e botës, artikujt kryesorë ushqimorë që janë për ekzistencën e njeriut i kanë çmimet fikse dhe nuk mund të formohen në bazë të kërkesës dhe ofertës, me qëllim që të ruhet standardi jetësor”, tha Limani.
Qeveria, shtoi ai, duhet që nëpërmes politikës fiskale dhe subvencioneve ta mbajnë nivelin e çmimeve, e cila është e pranueshme për mosdëmtimin e standardit jetësor.
Limani thekson se Qeveria duhet të marrë menjëherë masa për ndaljen e inflacionit në vend. Në Kosovë, sipas statistikave në Ministrinë e Bujqësisë, konsumi i përgjithshëm i drithërave të grurit është rreth 410 mijë tonë, përkatësisht 205 kilogramë për kokë banori. Po ashtu duke u referuar në statistikat e kësaj ministrie, prodhimi i brendshëm plotëson 53.5 për qind të kërkesave për grurë në Kosovë.
Arsyet e shtrenjtimit
Ngritja e çmimit të bukës po vjen për shkak se Kosova është e varur nga importi dhe furrtarët punojnë me çmime që iu përgjigjen atyre. Furrtarët, sipas ekonomistëve, janë të detyruar të rrisin çmimin e bukës. Shkaktar tjetër është edhe masa e vogël e prodhimit të miellit në vend.