Mandat për CEFTA-n
Projekti rajonal CEFTA pritet të udhëhiqet nga Kosova nga janari i vitit të ardhshëm. Formimi ose jo i institucioneve të reja në Kosovë nuk do të kushtëzojë udhëheqjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore. Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë në largim, megjithatë, shpreson se angazhimet rreth marrjes së kryesisë do ta gjejnë Kosovën me qeveri të re. Sipas tij, aktivitetet e CEFTA`s nisin në muajin shkurt apo mars.
”Meqë CEFTA dhe aktivitetet e saj nuk do të fillojnë menjëherë pas Vitit të Ri, por në muajin e dytë dhe të tretë, konsideroj se mungesa e institucioneve qeveritare, gjegjësisht mosformimi i qeverisë nuk do të ndikojë shumë në punët dhe planet për vitin 2011 – me kusht që institucionet qeveritare formohen në janar të 2011-ës“, thotë Keqa.
As Lutfi Zharku, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, nuk e sheh si problem situatën aktuale politike. Kjo e fundit, sipas tij, nuk do të ndikojë negativisht në kryesimin e e CEFTA’s nga Kosova përkundër vështirësive që mund të paraqiten.
“Është normale që mund të paraqesë një vështirësi në fillimin e punës, por strukturat që janë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë besoj se mund t’i kryejnë punët, derisa nuk emërohet ministri i ri”.
“CEFTA fillon kah fundi i marsit, kështu që besoj se deri në atë kohë do t’i kemi institucionet dhe ministri i ri do të arrijë me sukses ta fillojë punën në kryesimin e saj”, shprehet Zharku. Ndryshe mendojnë ekspertët për çështje ekonomike. Lumir Abdixhiku, nga Instituti “Riinvest”, e konsideron sfidë për institucionet e Kosovës marrjen e presidencës së radhës së CEFTA`s.
Sipas tij, ndryshimet politike në vend kanë vështirësuar menaxhimin e këtij projekti rajonal.
“Kjo gjë ka një kosto për Kosovën, për shkak se po e humbasim gradualisht një rast mjaft të shkëlqyeshëm, për t’i përmirësuar marrëdhëniet tona tregtare me vendet që kanë bllokuar qarkullimin e mallrave dhe të mirave të vendit tonë”, thotë Abdixhiku.
Gjatë vitit 2010, CEFTA-n e ka drejtuar Serbia. Shteti serb dhe Bosnjë-Hercegovina që dy vjet kanë bllokuar mallrat e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në vula të Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, vazhdon ende diskutimi i modaliteteve që gjatë kryesimit të Kosovës, takimet e CEFTA-s të mbahen pa simbole shtetërore. Flamur Keqa thotë se një gjë e tillë ka karakter politik dhe, sipas tij, për të duhet të vendosin autoritetet e larta qeveritare.
“Sa u përket modaliteteve të mbajtjes së takimeve, kjo është vetëm edhe një element apo një pikë, e cila ka nevojë për një vendim politik. Ky është elementi i vetëm që ka mbetur pezull deri më tani”, thekson Keqa. Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e CEFTA`s në korrik të vitit 2007. Marrëveshja në atë kohë ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut.