Të paditen manipuluesit
Lëvizja FOL ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, që të ngre padi penale ndaj komisionerëve të KQZ’së në 21 qendrat e votimit, ku PZAP ka konstatuar se ka pasur manipulim të votave dhe parregullsi. Përveç kësaj, FOL kërkon që prokuroria, veç rasteve të dëshmuara nga PZAP, të bëjë hetime edhe për qendra të tjera të vendvotimeve. “Kultura e mosndëshkimit duhet të ndërpritet”, ka vlerësuar FOL.
Edhe KMDLNJ kërkon nga organet e drejtësisë që, ata të cilët kanë manipuluar me votën, të ndiqen penalisht. “Përgjegjësia për këto manipulime bie edhe mbi institucionet që kanë organizuar këto zgjedhje, si dhe për ata që kanë qenë të thirrur që të monitorojnë ato”, vlerëson KMDLNJ.
Sipas kësaj organizate, KQZ dhe PZAP i janë nënshtruar një presioni të madh politik dhe medial dhe se vendimi që kanë marrë duhet të hidhet poshtë nga Gjykata Supreme e Kosovës.