E Hënë, 2 Nëntor 2026

Niçe, një libër për shpirtërat e lirë

22/05/2005  “Mund të merret me mend se një shpirt i lirë në të cilin një ditë duhet të piqet dhe të ëmbëlsohet deri në përsosmëri tipi ‘shpirti i lirë’, duhet të ketë pasur ngjarjen e tij vendimtare te një ndarje e madhe dhe, që më parë, të jetë i lidhur dhe i mbërthyer me zinxhirë përgjithmonë në qoshen dhe në shtullën e tij. Cila është lidhja më e fortë? Cilat lidhje janë gati të pathyeshme?”. Për Frederik Niçen, këto janë detyra për njerëzit e llojit të ngritur dhe të dalluar, respekti që i përket rinisë, ndrojtja dhe brishtësia përballë gjithçkaje, që është e denjë dhe që nderohet që prej lashtësisë etj., etj. Shumë mund të thonë se Niçja, tanimë lexohet me rezerva, për shkak të moralizmit të fortë. Por shtëpia botuese “UEGEN”, jashtë këtij risku, në serinë e kësaj kolane, sjell botimin tjetër në shqip të Niçes “Njerëzor, tepër njerëzor”, përkthyer nga Taulant Hatia.

Në hyrje të botimit vetë autori dyshon për këtë libër, kur thotë se i duhej të shpikte edhe “shpirtra” të lirë, të cilëve i kushtohet ky libër shkurajimi dhe inkurajimi. Si pesimist, Niçe thotë se “shpirtëra të lirë” nuk gjenden, nuk janë gjendur kurrë, por vetë autori kishte nevojë për shoqërinë e tyre, për të qenë në humor të mirë, në mes gjërave të këqija si sëmundjes, izolimit, mërgimit, topitjes shpirtërore, plogështisë. Këto i quan si fantazma dhe shokë të mirë, me të cilët fjaloset dhe qesh kur ka qejf të fjaloset e të qeshet, dhe që i dërgon më pas në djall kur bëhen të mërzitshëm - si një zëvendësim i miqve që mungojnë. Në nëntë pjesë të librit, që shkojnë në një linear prej 340 faqesh, Niçe flet për gjërat e para dhe të fundit, për historinë e ndjenjave morale, jetën fetare, mbi shpirtin e artistëve dhe shkrimtarëve, për shenjat e kulturës së lartë dhe të ulët, për njeriun në marrëdhëniet shoqërore, hedh sytë dhe nga shteti, por flet dhe me njeriun vetëm me veten e tij. Në tërë këtë udhëtim personal dhe privat, Niçe thotë: “Që një ditë të mund të ketë shpirtëra të lirë të këtij lloji, që Evropa jonë duhet të ketë shokë të tillë të gëzuar e të guximshëm mes bijve të saj të nesërm e të pasnesërm, me trup dhe të prekshëm e jo, si në rastin tim, vetëm për të përqeshur e hije lëvizëse për një vetmitar, kjo është një gjë për të cilën dua të dyshoj më pak nga të gjitha. Unë i shoh qysh tani që po vijnë, ngadalë, ngadalë, dhe mos vallë po bëj diçka për të shpejtuar ardhjen e tyre, kur përshkruaj tani se me çfarë fati i shoh të lindin, se nga cilat rrugë i shoh të vijnë?”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›