"Nightmare festa" ekspozitë dhe filma në Halloween
Një festë "ankthi", që përkon me Halloween-in, do të vijë mbrëmjen e 30 tetorit në "Raum gallery" në Tiranë. Me artist Heldi Pemën, punët e ekspozitës së quajtur "Nightmare festa", janë përzgjedhur të tilla që të përkojnë me ngjarjen e Halloween-it. Shumëkush do të dëshironte të "zhgarraviste" mbi libra apo revista në klasë gjatë orëve të mësimit. Dhe kjo është pikërisht teknika që ka përdorur artisti. Punët janë një seri faqesh të grisura nga disa revista të ndryshme mode, mbi të cilat, ai ka bërë ndërhyrjen e tij të radhës, duke transformuar lënien njerëzore në një qenie ambigue dhe misterioze. "Bukuria që vret, është vrasja që bën skandal, është skandali që bën modë", vëren Pema, ndërsa vijon se për të mbrëmja e Halloween-it është nata kur mostrat e fantazisë së psikës njerëzore dhe ato të veprës së artistit dalin në kërkim të shëmbëlltyrës së tyre, "duke na bërë koshientë për atë çka ne nuk dukemi, por jemi vërtetë". Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gjatë dy javëve në vazhdim, kohë në të cilën do të ketë prezantime dhe shfaqje të filmave "Noir" të kinematografisë gjermane, amerikane, franceze dhe spanjolle të viteve ‘40-‘50.