E Diel, 1 Nëntor 2026

Pierre Cabanes, francezi i hershmërisë shqiptare

Pierre Cabanes, për herë të parë shkeli në Shqipëri rreth viteve ‘70, kohë kur mbronte tezën për doktoraturën. Mjaftoi kaq që profesionalisht, ai të qëndronte i lidhur me historinë e Shqipërisë, periudhën e antikitetit. Ai ndoqi gjurmët e Leon Reit, ndërsa themeloi edhe misionin arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri. Në intervistën e mëposhtme, z. Cabanes tregon rëndësinë e studimeve të mbishkrimeve, pozicionin e veçantë të gruas në shoqërinë e hershme në Butrint, jep mendimin e tij mbi rishkrimin e historisë së Shqipërisë. Ai prek edhe çështjen mbi Epirin Verior, polemikat mes shqiptarëve dhe grekëve. Pierre Cabanes është profesor i merituar i historisë së lashtësisë në Universitetin Clermont- Ferrand dhe në Universitetin Paris X-Nanterre. Ai është ekspert i historisë së lashtësisë së Gadishullit të Ballkanit, ndërsa drejton korpusin e mbishkrimeve greke të Ilirisë Jugore dhe të Epirit.

Zoti Cabanes, si ndodhi që erdhët në Shqipëri për të themeluar më pas misionin arkeologjik dhe epigrafik francez?

Më duhet të vija në Shqipëri, sepse rajoni, për të cilin po përgatisja tezën time të doktoraturës, që titullohej "Epiri i Lashtë". Unë kisha dijeninë se Epiri i Lashtë nuk përfundonte në kufirin modern greko-shqiptar, por vazhdonte shumë më tepër në veri të Epirit, me qytete të rëndësishme dhe material arkeologjik mjaft të pasur. Kur fillova këtë tezë, drejtuesi i saj, Louis Rober, më propozoi që të udhëtoja në Epir. Ishte ai që më tha se Epiri vazhdonte në Shqipërinë e Jugut. Dhe vendi juaj më dha një informacion të jashtëzakonshëm, tepër të pasur për tezën time të historisë së Epirit. Pas kësaj, unë, sigurisht, u interesova edhe për rajone më në veri, që i përkisnin Ilirisë së Jugut. Më vonë, nga Ministria e Jashtme franceze m‘u dha detyra për të ardhur në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes kulturore ndërmjet Francës dhe Shqipërisë. Kjo ndodhi në vitin 1971. Në atë kohë më priti Aleks Buda, atëherë kryetar i Akademisë së Shkencave, si dhe arkeologë shqiptarë.

Profesor Buda më propozoi të filloja kërkimet arkeologjike ku kishte dhënë kontribut para Luftës së Dytë Botërore arkeologu francez Leon Rei. Themelova misionin arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri, që kishte për detyrë të punonte për arkeologjinë në qytete të ndryshme, mes të cilave sigurisht, Durrësi, Apolonia e Butrinti. Ky mision është realizuar tanimë në pjesën më të madhe të tij. Unë vazhdoj të qëndroj në Shqipëri, pasi studimet për Apoloninë më mbajtën peng në vendin tuaj. Në fund të vitit 2008, apo në fillim të vitit 2009, pritet të botohen mbishkrimet latine, duke plotësuar kështu botimet e të gjitha qyteteve antike të Shqipërisë: Amantia, Bylis, Finiqi dhe Antigonea.

Pse është e rëndësishme njohja dhe botimi i mbishkrimeve që janë gjendur në qendrat e lashta shqiptare?

Njohja e historisë së këtij rajoni është bazuar vetëm në burime letrare. Burimet epigrafike në këtë rajon janë shumë më të rëndësishme se në krahinat e tjera dhe kanë avantazhin që vijnë mes atij që ka gdhendur mbishkrimin. Ato na drejtohen pa ndërmjetës. Për shembull, në Butrint kemi gjetur listën e emrave të skllevërve të liruar, nga e cila mësojmë se 600 skllevër janë liruar. Sipas këtij mbishkrimi, ne mësojmë dhe njohim shoqërinë e kohës dhe sistemin skllavopronar. Mbishkrimi në fjalë daton në shek II dhe të I para erës së re. Në sajë të këtij mbishkrimi, ne kemi mësuar mbi jetën e burrave dhe grave të lirë dhe shoqërinë, në të cilën ata jetonin, si dhe mënyrën se si liroheshin skllevërit. Në sajë të këtyre zbulimeve epigrafike, ne kemi mësuar se lirimi i skllevërve, të paktën në zonën e Butrintit, ishte shumë më ndryshe nëse do të krahasohej me zonat përreth.

Cili ishte pozicioni i gruas në Butrint, në krahasim me zonat e tjera?

Falë studimit epigrafik, ne kemi mësuar mbi pozicionin dhe rolin e gruas në shoqërinë e kohës. Gratë kishin të drejtën t‘u jepnin lirinë skllevërve, gjë që ishte e paimagjinueshme në qytete të tilla të lashta. Në Athinë, për shembull, ky pushtet i grave nuk mendohej. Në shoqëritë e lashta të Greqisë Qendrore dhe Jugore ishte gjithmonë kryetari i familjes që merrte vendimet aq më tepër në lidhje me skllevërit. Në Butrint ndodhte ndryshe. Për të marrë një vendim, familja merrte mendimin e të gjithëve. Babai, nëna e fëmijët duhet të jepnin mendimin e tyre që akti i lirimit të skllavit të konsiderohej i kryer plotësisht. Por në Butrint mund të ndodhte që edhe vetëm gruaja të jepte lirinë skllevërve. Nga kjo pikëpamje, ajo konsiderohet si vendimmarrëse. Kërkimet arkeologjike dhe mbishkrimet tregojnë më së miri pozicionin e gruas në këtë rajon. Mendoj se shpjegimi për këtë rol të gruas në Butrint ka të bëjë me jetën ekonomike të këtij rajoni. Për shkak të relievit malor, popullsia merrej me blegtori e për këtë arsye burrat i merrnin kafshët e shkonin drejt fushave. Kështu, gratë mbeteshin të vetme në shtëpi me fëmijët. Për këtë arsye, asaj i ka takuar ky vend i rëndësishëm në lidhje me vendimet. Pozicioni i përparuar i gruas në Butrint është i lidhur pra me strukturën e jetës ekonomike, organizimin ekonomik dhe shoqëror.

T‘i kthehemi edhe një herë traditës arkeologjike franceze, që në fakt shënon 84 vite në Shqipëri. Ju si e konsideroni këtë lidhje mes Shqipërisë e Francës në fushën e arkeologjisë?

Ky interesim francez ndaj vendeve që u shkelën apo u vizituan prej tyre, është një traditë që ka nisur që në periudhën e Bonapartit me ekspeditën e tij në Egjipt. Një ekspeditë tjetër ka qene ajo e Moresë, në Greqinë e Jugut në 1805-1830. Kjo traditë u rimor në vitin 1915 nga ushtria franceze e lindjes, që duke u nisur nga Selaniku luftoi kundër bullgarëve edhe austro-hungarezeve dhe që më në fund çliroi Korçën. Leon Rei u ngarkua kërkime arkeologjike në kuadër të kësaj ushtrie, të cilat i botoi para luftës, në dy volume. Kjo përpjekje e ushtrisë franceze çoi në krijimin e Liceut Francez të Korçës më 1917. Duke filluar nga viti 1923, Leon Rei filloi kërkimet në territorin e Shqipërisë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë së Francës dhe asaj të Shqipërisë. Autoritetet shqiptare pranë misionit arkeologjik francez u përfaqësuan nga arkeologu Hasan Ceka. Leon Rei ishte një arkitekt model sepse ai kurrë nuk çoi në Francë asnjë nga objektet arkeologjike që zbuloi. Përkundrazi ua dha ato autoriteteve të Shqipërisë. Hasan Ceka ka treguar ndryshimin e madh mes misionit arkeologjik francez të Apolonisë dhe atij italian të Butrintit, kjo sepse italianët në radhë të parë ishin fashistë dhe pastaj arkeologë. Më vonë, Italia ia ktheu Shqipërisë objektet arkeologjike që i përkisnin zbulimeve në Butrint, sidomos Dean.

Si funksionon bashkëpunim francezo-shqiptar në fushën e arkeologjisë?

Funksionon mirë. Aktualisht punohet në katër qendra: në Sovjan, Apoloni, Bylis dhe Durrës. Mendoj se cilësia e kërkimeve shqiptare po përmirësohet në sajë të formimit më të mirë të arkeologëve të rinj.

Z. Cabanes, a keni një mendim tuajin sa i përket polemikave mbi Epirin e Veriut?

Është për të ardhur keq që historia përdoret për hakmarrje territoriale. Nuk mund të zgjidhet problemi mes Izraelit dhe Palestinës, duke kërkuar se cilët erdhën të parët çifutët apo palestinezët. Popullsitë ekzistojnë e nëse ndiqen politika të përgjegjshme që synojnë që popullsitë të bashkëjetojnë atëherë problemet zgjidhen. Unë mendoj se sot qeveria greke i ka fshirë ato kërkesa për Epirin e Veriut, siç kanë qenë përpara 25 viteve nga koha e Papandreut. Regjimi e kishte për zakon, të ndiqte një politikë populiste që t‘i shpjegonte problemet ekonomike në Greqi përmes shpirtit të keq që i bënin fqinjët. Qeveria Simistis, grekët e zvogëluan pretendimin territorial, mendoj se është për të ardhur keq që të përdoret historia e vjetër për të justifikuar kërkesat territoriale. Në antikitet territori i Epirit përmblidhte popullsinë mollose thesprote dhe kaone, por kjo histori që shkon deri para 2000 vjetëve nuk duhet të përdoret për të përcaktuar kufijtë e sotëm. Por ndërsa lexon autorët e antikitetit, Polibi dhe Strabonin, ata na thonë se ka pasur popullsi mikse, pra popullsi të përzier mes epirotëve dhe ilirëve. Nëse shohim historinë e re është e vërtetë që në Shqipërinë e Jugut ka popullsi që flasin greqisht, por dihet se ka popullsi që flasin shqip deri në territorin e Atikës.

Si i shërben historia të sotmes? Ju si njohës i historisë së vendit tonë, mendoni se është e nevojshme të rishkruhet ajo?

Historia i jep thellësi shoqërisë sonë. Ajo nuk jep detyrimisht zgjidhje, por ndihmon për të kuptuar shoqërinë, për të reflektuar me qetësi, për të gjetur zgjidhje për problemet e kohës. Historia nuk është një kuti me vegla, që e hapim dhe gjejmë zgjidhje automatike. Sa i përket historisë së Shqipërisë, mendoj se duhet të rishkruhet me urgjencë, pasi ajo, historia që mësojnë nxënësit në shkollat shqiptare, është e mbushur me ideologjinë e kohës dhe janë shmangur fakte reale. Ndërkohë është e pakonceptueshme që lëndën e historisë pas viteve ‘90 vazhdojnë ta japin të njëjtët mësues që gjatë gjithë kohës kanë dhënë historinë e sistemit të kaluar. Ka shumë fakte historike që duhet të dalin në dritë dhe historia të mësohet drejt nga të gjithë. Kjo do të ndihmonte edhe në formimin më profesional të historianëve të rinj.

Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?

Pas botimit në shqip të librit "Hyrje në historinë e Antikitetit" shpresoj shumë që vitin e ardhshëm të dalë edhe shqip. Ndërkaq, libri im "Historia e Adriatikut", vazhdon të përkthehet edhe në gjuhë të tjera. Për sa u përket punëve që kam në duar, veç volumeve të mbishkrimeve greke në Shqipëri, kam si projekt të shkruaj një libër për mbishkrimet greke në Epirin grek. Do të shkruaj edhe një libër për metodologjinë e mbishkrimeve greke. Uroj që Zoti të më japë shëndet për t‘i çuar deri në fund këto projekte.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›