E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niki Lauda: Hamilton është një i çmendur

Tri herë kampioni i botës, Niki Lauda beson se Ljuis Hamilton do ta vrasë dikë në pistë nëse nuk qetësohet. Njësoj si në garën e dy javëve më parë në Monako, Hamilton ishte i përfshirë në dy incidente në garën kaotike për Çmimin e Madh të Kanadasë të dielën. Në shiun e madh në pistën “Gilles Villeneuve”, ai u përplas me Mark Veberin duke e nxjerrë jashtë gare njëvendëshen e australianit, e më pas u përplas me kolegun e tij nga McLaren, Xhenzon Baton. Ky ishte aksidenti i parë serioz mes tyre, por ai që e pësoi më keq ishte Hamilton, pasi u detyrua të tërhiqet menjëherë pas këtij incidenti. Ndërsa Baton vazhdoi të garojë dhe në fund doli fitues. Komisionerët pritet të hetojnë incidentin dhe do të jetë hera e gjashtë që Hamilton do të dalë para panelit katëranëtarësh në shtatë garat e deritashme. Për sigurinë e pilotëve, Lauda beson se FIA duhet të dënojë Hamiltonin për t’i dhënë mësim. “Ajo që bëri Hamiltoni tejkalon çdo kufi. Ai është i çmendur. Nëse FIA nuk e dënon atë, nuk e kuptoj më këtë botë. Duhet të ekzistojë një kufi për t’i dhënë fund të gjitha shakave. Nuk mund të vozitni ashtu, sepse do të rezultoni me vrasjen e dikujt”, tha Lauda për televizionin gjerman RTL.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›