E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolai Valuev në hapat e Rocky Marcianos

Ai është boksieri më i madh në historinë boksit profesionist dhe është duke shkuar rrugës së të famshmit Rocky Marciano, pasi ende nuk ka pësuar asnjë humbje apo barazim.
Emri i Nikolai Valuev po fiton gjithnjë e më shumë respekt në mesin e boksierëve të kategorisë së rëndë.
Boksieri i gjatë 213 centimetra dhe që peshon 150 kilogram, ka mposhtur të shtunën në mecin e zhvilluar në Rosemont të Shteteve të Bashkuara sfiduesin amerikan Monte Barrett, duke mbrojtur titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në versionin ËBA.
Meci ka përfunduar në rundin e 11-të kur James Ali Basheer, trajneri i boksierit amerikan është futur në ring për të ndërprerë luftën, pasi boksieri i tij po pësonte keq nga "Gjigandi rus".
"Ka qenë një ëndërr e imja që të luftoj për titullin e kampionit të botës në Amerikë", ka thënë Valuev pas mecit, i cili i ka hapur rrugën që të kërkojë edhe titujt e tjerë të kampionit në versionet e tjera të boksit profesionist.
Promoteri Don King tani ka një mision të ri. Të bashkojë të gjithë titujt e kampionit të federave të mëdha nën një emër. Dhe ky emër është pikërisht rusi Valuev. Ai ka paralajmëruar një mec të rusit kundër Wladimir Klitschko, i cili mban titullin në versionin IBF, Sergei Liakhovich që është kampion në WBO, apo kampionin e versionit WBC, Oleg Maskaev. "Njerëzit kërkojnë që këta kampionë të ndeshen mes vete", ka thënë King.
Valuev ka zhvilluar deri më tani 45 mece në ringun profesionist, duke i fituar të gjitha. Boksierit rus i nevojiten vetëm edhe katër fitore për të barazuar rekordin e legjendës Rocky Marciano, i cili e kishte përfunduar karrierën si kampion duke i fituar të 49 mecet e zhvilluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›