E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikolin Jaka: “Jam i pafajshëm, më arrestuan prokurorët e Sollakut”

Në seancën e radhës, vendimi i Gjykatës për ish-zëvendësministrin. Procesi për gjashtë të arrestuarit me procedurë të përshpejtuar

Laureta Rryçi

Tiranë - Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve, i kërkoi dje pafajësi gjykatës. Në seancën e pretendimeve të palës mbrojtëse, Jaka preferoi të flasë vetë para trupit gjykues duke ngritur pretendimin se nuk ka lidhje me akuzat. Madje ish-zëvendësministri shkoi edhe më tej duke shpjeguar, sipas tij, edhe shkaqet pse ndodhet prapa hekurave. Në fjalën e tij të fundit para vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Jaka shpjegoi se ai ishte arrestuar nga prokurorët e Sollakut. Jaka dhe të arrestuarit e tjerë gjatë operacionit “Duar të pastra”, i kërkuan gjykim të shkurtuar duke ndikuar kështu në përshpejtimin e procesit ndaj tyre. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Martin Deda shpalli dje këtë vendim dhe më pas mori në dorëzim provat e parashtruara nga organi i akuzës lidhur me shqyrtimin e çështjes.
Deklarata
Jaka u shpreh se “prokurorët, me paaftësinë dhe mungesën e integritetit të tyre, kërkojnë ta vënë gjykatën nën presion, pa iu referuar fakteve dhe provave lidhur me alibinë e tyre për çështjen penale. Jemi të gjithë dëshmitarë se çfarë provash paraqiti Prokuroria e Tiranës nën komandën e Sollakut më 17 shtator të vitit 2007 në mediat e shkuara dhe vizive. Ish-kryeprokurori Sollaku, i quajtur nga maxhoranca si “kreu i mafies në Shqipëri”, ëndërroi se këto arrestime të paligjshme do t’i shërbenin zotërisë në fjalë për të ndërtuar urat e bashkëpunimit me maxhorancën aktuale dhe për të zgjatur jetëgjatësinë në postin e dashuruar prej tij. Shpreh ngushëllimet e mia për mosrealizimin e kësaj ëndrre”. Sipas Jakës, me ikjen e Sollakut, ra ndjeshëm devotshmëria e segmenteve të tij në këtë lojë të fëlliqur, dhe për këtë, po sipas tij, mjafton të përmendet pushimi i çështjes penale për dy ish të dyshuarit Elton Resuli e Alban Qafa, të cilësuar si pikë referimi për hetimin. Kjo duket, sipas tij, edhe në ndryshimin e akuzave për të dhe të pandehurin tjetër, Bashkim Kamberi. Në mbrojtjen e tij Jaka ka argumentuar rrëzimin e çdo akuze lidhur me tenderat për të cilat akuzohet. Fillimisht e ka nisur me tenderin Has-Qafë Prush, për të cilin akuzohet se i ka kërkuar të pandehurit Skënder Bokçiu 10 për qind të vlerës monetare, në këmbim të ushtrimit të ndikimit te Berzani për ta favorizuar në këtë tender. Jaka u kërkoi prokurorëve, në prani të togave të zeza, t’i vënë në dispozicion të paktën një bisedë të përgjuar apo një dëshmi që të vërtetojë që ai dhe Bokçiu të ketë biseduar për këtë objekt prokurimi; një bisedë të përgjuar apo dëshmi që të vërtetojë se ka ushtruar ndikim të paligjshëm te i pandehuri Berzani për këtë objekt prokurimi, si dhe një bisedë apo dëshmi që të vërtetojë se i ka kërkuar Bokçiut një përfitim të paligjshëm për vete dhe të tjerët. Jaka pranon që i ka telefonuar Berzanit, por jo për të ndikuar për tenderin, por nga meraku se mos Bokçiu po inskenonte ndonjë skenë policeske dhe atë natë mësova se Berzani ishte në ndjekje nga policia. Ndërsa lidhur me tenderin Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit, sipas Jakës, pretendohet nga akuza se i ka premtuar z. Ahmeti, administratori i kompanisë “TRISS NDËRTIM” sh.p.k për ta fituar këtë objekt. Jaka shprehet në mbrojtjen e tij se gjithçka është një farsë dhe se nuk ka zhvilluar ndonjë bisedë me Ahmetin për problemin e këtij tenderi. Një tjetër shkelje, sipas Akuzës, ka qenë edhe në tenderin me objekt prokurori “Supervizimi i rrugës Rrëshen-Kalimash”. “Unë vetëm i kam dhënë këshilla ligjore në këtë procedurë tenderimi z. Berzani, si dhe për shkak të faktit se kriteret për këtë procedurë tenderimi ishin hartuar me qëllim të paracaktuar nga ana e specialistëve të DPRR-së, këta ishin nën hetim për procedurat e tenderimit të ndërtimit të këtij segmenti. Dukeshin qartë tendencat që këtë supervizim ta fitonin studiot aleate ose bashkëpunëtore me kompaninë që kishte fituar tenderin e ndërtimit të këtij segmenti” vijoi mbrojtjen e tij ish-zëvendësministri Jaka, duke pretenduar se ka dhënë vetëm këshilla ligjore dhe jo të ndikojë te Berzani. Në përfundim të mbrojtjes së tij dhe kërkesës për pafajësi, avokatët mbrojtës të të pandehurve të tjerë ngritën pretendimet se klientët e tyre janë të pafajshëm. Në seancën e ardhshme pritet që togat e zeza, të kryesuara nga gjyqtari Martin Deda, të japin verdiktin përfundimtar.
Arrestimet
Të pandehurit u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me njësinë hetimore Task-Forcës, i koduar "Duart e pastra", ku gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale, të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim të detyrës", ndërkohë që për Nikolin Jakën akuza ka ndryshuar në "Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ". Nikolin Jaka, ish zv/ministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve, Arjan Sheti, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike, Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Xhevahir Muçogllava, ish-drejtor i Drejtorisë së Programit dhe Koordinimit dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të gjithë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, si dhe dy biznesmenët, Skënder Bokciu e Isuf Ukperaj, të cilët akuzohen për "korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike", do të përballen shumë shpejt me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që Alban Qafa dhe Enton Resuli janë lënë të lirë sepse ndaj tyre nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›