E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolin Jaka mbetet në burg, dosja mbërrin në gjykatë

Ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, vazhdon të jetë në burg, ndërsa dosja e tij ka mbërritur tashmë në gjykatën e shkallës së parë në kryeqytet. Në fillim të kësaj jave, ajo i është nënshtruar shortit elektronik, nëpërmjet të cilit është caktuar për gjykimin e saj gjyqtari Martin Deda. Ndërkaq, procesi për shqyrtimin e kërkesës së Jakës për zëvendësimin e masës së arrestit ka mbetur pezull për shkak kërkesës së prokurorit të çështjes për deklarimin e moskompetencës së gjykatës. Dje, në Gjykatën e Tiranës, është zhvilluar seanca e radhës, për shqyrtimin e kërkesës së ish-zëvendësministrit. Nikolin Jaka ka kërkuar nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë "burg pa afat" në të cilën ndodhet aktualisht në një masë më të butë. Por gjatë procesit, prokurori i çështjes ka bërë kërkesë për moskompetencën e gjykatës. Sipas tij, meqë dosja e plotë e kësaj çështjeje ka mbërritur në gjykatë dhe madje është caktuar edhe gjyqtari që do ta gjykojë, duhet që edhe kërkesën e të pandehurit kryesor ta shqyrtojë i njëjti gjyqtar. Në këtë mënyrë nuk do të ketë edhe përplasje midis të dyja çështjeve. Gjyqtarja e çështjes nuk ka dhënë ende një vendim lidhur me kërkesën e prokurorit, por ekspertë të jurisprudencës thonë se deklarimi i moskompetencës në një rast të tillë është më se normal. Në këtë mënyrë, ish-zëvendësministrit do t‘i duhet të presë nisjen e procesit të tij gjyqësor, për të ripërsëritur në seancë gjyqësore kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Korrupsion, mitëmarrje dhe shpërdorim detyre ishin akuzat e ngritura fillimisht ndaj zëvendësministrit të Transporteve, Nikolin Jaka, drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Ilir Berzani, drejtorit të Përgjithshëm të Prokurimeve, Bashkim Kamberi, drejtorit të Prokurorimeve Publike, Xhevahir Muçogllava, specialistëve Arbër Qato e Arben Sheti, si dhe biznesmenit Skënder Bokçiu e të dyshuarve si sekserë, Enton Resuli dhe Isuf Ukperaj, që të gjithë të prangosur mbrëmjen e 17 shtatorit të vitit të kaluar. Procesi gjyqësor ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve pritet të fillojë javën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›