Vrau gruan me kosore, ekspertiza e nxjerr të përgjegjshëm
• ELBASAN - Asqeri Kullolli, vrasësi i bashkëshortes së tij në qershor të vitit të kaluar, rrezikon deri në 30 vjet heqje lirie. Kjo, pasi në kohën që ai ka kryer krimin makabër ka qenë i përgjegjshëm dhe në gjendje të kthjellët mendore.Është ky përfundimi i arritur nga organi i akuzës së qytetit të Elbasanit pas përballjes me rezultatet e ekspertimit psikik të Kullollit. Mësohet se ditët e fundit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka mbërritur shkresa zyrtare me përfundimet e ekspertimit psikik të 42-vjeçarit Kullolli nga fshati Kajan. Sipas të dhënave të ekspertimit, i arrestuari për vrasjen e gruas, Aishes, 38 vjeçe, nuk ka kaluar asnjë gjendje turbullimi mendor në momentin që ka kryer vrasjen, por është cilësuar i përgjegjshëm duke rrezikuar në këtë mënyre maksimumin e dënimit. Kërkesa për ekspertimin psikik të Kullollit ka ardhur nga avokati i tij, i cili pretendonte se 42-vjeçari kishte qenë në një gjendje të rënduar dhe të turbullt psikike në kohën e kryerjes së krimit. Burime pranë Prokurorisë së Elbasanit bëjnë të ditur se për Kullollin do të kërkohet deri në 30 vite heqje lirie. Asqeri Kullolli, akuzohet se më 13 qershor të vitit 2007 ka goditur për vdekje me kosë bashkëshorten e tij, Aishe Kullolli. Mbi të rëndon akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara. Sipas deklaratave të dhëna në gjykatë, Kullolli kishte pranuar krimin dhe pretendonte se e kishte vrarë bashkëshorten pasi dyshonte për një lidhje jashtëmartesore të saj. a.k.