E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në 2 komuna bllokohet procesi dhe dëmtohet vula

01/08/2011  Përfundon i qetë votimi në 9 nga 10 komuna ku ishte vendosur ripërsëritja

Në Shalë të Shkodrës zgjedhjet do të ripërsëriten, kaluan afatet e hapjes së qendrës

Është votuar dje në 9 nga dhjetë njësi vendore për të cilat ishte vendosur përsëritja e procesit, që ose nuk u zhvillua më datën 8 maj, ose u vendos ripërsëritja e zgjedhjeve për shkak të parregullsive. Në komunën Shalë të qarkut Shkodër votimi nuk është zhvilluar, për shkak se qendrat e votimit nuk janë hapur brenda orarit që parashikon Kodi, 6 orë pas procesit të votimit.

Sarandë

Në njërën prej qindrave të votimit në këtë komunë, ku kandidojnë Ziso Lluci për PBDNJ-në dhe Sokrat Spiro nga MEGA, është vonuar votimi për mbi tri orë. Shkak është bërë dëmtimi qysh mbrëmjen e 30 korrikut i vulës së qendrës së vetme të votimit në këtë fshat. Rreth orës 9:45 në fushën e Vrionit është ulur helikopteri i KQZ-së, me të cilin është dërguar vula e re. Pas plotësimit të këtij elementi disa minuta pas orës 10:00 të paradites së sotme është shënuar votuesi i parë nga 1178 votues të regjistruar në qendrën e votimit Vrion. Përsëritja e votimit në komunën e Finiqit është një ndër 10 vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor. Kreu aktual i kësaj komune, Ziso Lluci, rezultoi fitues i votimeve të 8 majit, me 4 vota diferencë kundrejt Sokrat Spiros, ish-kryetar i këshillit komunar në mandatin e kaluar. Ka qenë pikërisht Spiro që ka apeluar rezultatin në Kolegjin Zgjedhor, i cili ka vendosur rivotimin më 31 korrik, pas shqyrtimit të dokumentacionit zgjedhor të 8 majit, i cili ka rezultuar me mangësi të konsiderueshme, pasi për një masë të madhe votuesish nuk ishte regjistruar numri i kartës së identitetit apo pasaportës biometrike.

Shkodër

Data 31 korrik ishte përcaktuar nga KQZ-ja për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në komunat Shalë e Shllak të Shkodrës, por përsëri në njërën prej këtyre komunave ato nuk u zhvilluan. Bëhet fjalë për komunën e Shalës, ku kandidojnë kryekomunari aktual Dedë Tonaj si përfaqësues i “Aleancës për Qytetarin” dhe Bal Vuksani si përfaqësues i “Aleancës për të Ardhmen”. Në komunën e Shalës nuk u zhvillua procesi i votimit për shkak të vonesave të ndryshme të krijuara si në caktimin e komisionerëve të qendrave të votimit, ashtu dhe në dërgimin e bazës materiale zgjedhore. Problemet kanë nisur fillimisht me emërimin e komisionerëve, kryesisht të PS-së, që nuk plotësonin kriteret ligjore. Pas zëvendësimit të tyre kishin kaluar afatet e hapjes së qendrave të votimit. Në komunën e Shalës janë të regjistruar 2320 zgjedhës, të cilët do kenë mundësi të votojnë më një datë tjetër në 5 qendra votimi.

Ndërkohë në komunën Shllak votimi është zhvilluar normalisht. Në këtë komunë konkurrojnë ndërmjet tyre Hilë Kodra i “Aleancës për Qytetarin” dhe Gjin Ndoja i “Aleancës për të Ardhmen”. Në këtë komunë procesi i zgjedhjeve ka filluar në orarin e caktuar në tri qendra votimi, ndërsa në tri qindrat e tjera procesi i votimit është hapur më pas, pasi ka pasur probleme në plotësimin e dokumentacioneve dhe materialeve zgjedhore.

Mbledhja në KQZ

Ristani akuzon opozitën për bllokim të procesit

Kmisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar dje për problematikën e hasur në komunat, ku dje po zhvilloheshin zgjedhjet e pjesshme. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, në fjalën e tij ka deklaruar se ka politikë për të prishur zgjedhjet në këto komuna. Ai informoi se gjatë mbrëmjes KQZ-ja ka zhvilluar mbledhje për të plotësuar emërimin e komisionerëve të qendrave të votimit që ishin bllokuar. Nga ana e saj përfaqësuesja e PS-së, Dëshira Subashi, ka propozuar që inspektorët së bashku me anëtarët e KZAZ-së të mos përjashtohen, nëse ata marrin përsipër të shoqërojnë bazën materiale. “Ne nuk kemi pse i përjashtojmë. Nuk është në tagrin e punonjësve të KQZ-së të thërrasin forcat e policisë”, - u shpreh Subashi. Po ashtu në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe për zgjedhjet në komunën Shllak si dhe për vulën e humbur në komunën Finiq. Në mbyllje të përfundimit të votimit zëdhënësi i KQZ-së Nardi Olli në një komunikim me mediet bëri të ditur se votimi u zhvillua i qetë, por pa shmangur dhe problemet që u hasën në dy komunat “Në Shalë s’u arritën të emëroheshin anëtarët dhe prandaj aty do të ketë një rivotim”, - tha ai. Më tej ai shtoi se në 9 komunat e tjera zgjedhjet u zhvilluan normalisht. “Mjetet zgjedhore u shpërndanë me helikopter, kurse në Shllak dhe Finiq pati problem me vulën zgjedhore”, - shtoi Olli, duke përfunduar se raporti i OSBE-ODIHR-it për procesin e djeshëm zgjedhor do të publikohet pas përfundimit të rezultatit.

Zgjedhjet në Papër dhe Pishaj, pjesëmarrje e ulët

Kandidatët i sjellin vetë votuesit dhe mbështetësit

Kandidatëve u është dashur t’i sjellin vetë në qendrat e votimit mbështetësit e tyre, pasi pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte shumë e ulët, aq sa nuk i ka kaluar 30%, kur njihet fakti që në këto njësi votojnë mbi 50%. Shkak për mungesën e votuesve kanë qenë pushimet për disa prej tyre, dasmat për disa të tjerë dhe indiferenca për një pjesë të tyre. Pjesëmarrje më të ulët ka regjistruar komuna Papër me 15 qendra votimi dhe 6300 votues ndërkohë që një pjesëmarrje më të mirë ka regjistruar komuna Pishaj me 20 qendra votimi dhe 4750 votues gjithsej, ku në përfundim mësohet se janë kaluar 40%. Në Papër kandidojnë përballë Shefqet Bullari i “Aleancës për të Ardhmen” dhe Gani Cani i “Aleancës për Qytetarin”, ndërsa në komunën Pishaj kandidojnë Klodian Taçe i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Estres Çekrezi i “Aleanca për Qytetarin” dhe si kandidatë të pavarur ish-kryetari i komunës, përfaqësues i PD-së Asim Çerkrezi, dhe ish-kryetari i PS-së së komunës Pishaj, Ali Hysa. Procesi ka nisur normalisht në 34 qendrat e votimit të këtyre dy komunave që në orën 7:00 të mëngjesit dhe është monitoruar nga KQZ-ja. Sipas informacioneve të marra nga 2 KZAZ që administrojnë këto zgjedhje, nuk ka pasur probleme gjatë orarit të zhvillimit të zgjedhjeve, çka ka bërë që të regjistrohet një proces normal. Ndërkohë drejtoria e policisë ka respektuar detyrat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Për të siguruar rend e qetësi janë angazhuar 40 uniforma blu.

Votimi i 31 korrikut

U përgatit infrastrukturë për 36 mijë zgjedhës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të pjesshme që zhvillohen dje në 10 komuna të vendit. Me përjashtim të Finiqit dhe Shalës, në të gjitha qendrat e tjera të votimit zgjedhjet u zhvilluan të qeta dhe pa incidente. Sipas vendimit të miratuar nga KQZ-ja, dje duhej të votohej në komunat Shllak dhe Shalë (qarku i Shkodrës), në komunat Pishaj dhe Papër (qarku i Elbasanit), komuna Mollas (qarku i Korçës), komuna Kolsh (qarku i Lezhës), komuna Armen dhe Finiq (qarku i Vlorës), komuna Qendër, Skrapar (qarku i Beratit) dhe komuna Zall-Dardhë (qarku i Dibrës), ku po votohet për kandidatët për kryetar komune dhe për këshillin e komunës. Në dy komuna, Shllak dhe Shalë, nuk u zhvilluan zgjedhjet më 8 maj, ndërsa në 8 njësitë e tjera vendore u vërejtën parregullsi dhe KQZ-ja vendosi përsëritjen e procesit zgjedhor. Rreth 36 mijë është numri i votuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë proces të pjesshëm zgjedhor për të zgjedhur drejtuesit e 10 njësive vendore në rang vendi, në tri prej të cilave votohet për herë të parë, ndërsa në 7 të tjera është shpallur pavlefshmëria, ndërsa janë ngritur 102 qendra votimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpërndarë të gjithë bazën materiale dhe procesi ka vijuar normalisht në të nënta komunat, përveç Shalës, ku edhe një herë janë bllokuar zgjedhjet dhe sërish shkak për këtë janë bërë komisionerët e “Aleancës për të Ardhmen”.

Berisha takon Thaçin

Në Dhërmi diskutohet për situatën në Veriun e Kosovës

Dy kryeministrat, ai shqiptar Sali Berisha dhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi, janë takuar dje në Dhërmi, ku kanë biseduar nga afër për situatën e krijuar në Veri të Kosovës ditët e fundit. Në këtë takim kryeministri Berisha ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare për qeverinë e Kosovës. Ky është takimi i parë mes dy kryeministrave Berisha e Thaçi pas ngjarjeve që po zhvillohen në Veri të Kosovës. Më herët kryeministri Berisha në një deklaratë për mediet ka dënuar dhunën sulmet e ndodhura në Veri të Kosovës. Këto akte kryeministri i cilësoi provokime të rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve, të financuara nga qarqe ultranacionaliste të Beogradit. “Qeveria bën thirrje për uljen e tensionit dhe krijimin e kushteve për suksesin e dialogut dhe negociatave në kuadër të procesit të Brukselit”, - u shpreh Berisha. Kryeministri deklaroi se qeveria shqiptare dënon aktet kriminale të falangrave të serbomëdhenjve, vrasjen e oficerit të FSK-së, djegien e ndërtesave, doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj KFOR-it. Po ashtu kreu i qeverisë në konferencën për shtyp zhvilluar ditë më parë shprehu mbështetje për vendimin e qeverisë së Kosovës, për ndalimin e mallrave serbe në Kosovë si vendim i imponuar nga embargoja serbe për mallrat kosovare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›