E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita të mos bëhet qesharake, Edi Rama të aplikojë publikisht”

Zëvendëskryeministri Genc Pollo, akuzon opozitën për abuzimet për vite me radhë me kartat e identitetit

TIRANE – Zëvendëskryeministri Genc Pollo, i ka kujtuar dje dështimin PS-ës, në tentativën e saj të dështuar për vite me radhë, për pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti, ndërsa ka ftuar kreun e PS-ës, Edi Rama që të aplikojë publikisht për marrjen e kuponit të pajisjes me kartë identiteti.
“Për vite me radhë PS-ja dështoi në pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti. Edhe atëherë kur u duk se e realizoi këtë proces, ndryshoi Kodin Zgjedhor, sepse karta e identitetit që u shpërndanë disa vite më parë, nuk ishin aspak cilësore. “Nuk është nevoja tani që të bëhet edhe më qesharake opozita me akuza të tilla dhe të fyejë njerëzit pa pikë arsye. Unë do të këshilloja, ndoshta nuk është detyra ime ta bëj, por do guxoja ta bëja këtë, që vetë Edi Rama, në mënyrë publike, të ftojë kamerat që i ka për zemër ta bëjë këtë proces aplikimi duke i dhënë  mesazhin dhe votuesve të PS, por dhe publikut, se ky është një proces që duhet kryer. Në qoftë se ai nuk e bën për arsyet e veta,  le të delegojë dikë, a Taulantin apo nje deputet tjetër”, deklaroi Zëvendëskryeministri Pollo.
Sipas Pollos, qeveria vlerëson procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, ku përmes gjenerimit automatik pajis çdo shtetas me numrin e identifikimit; ashtu si në çdo shtet modern.
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, deklaroi dje midis të tjerave në kuvend, se shpërndarja e kartave të identitetit është një realitet tashmë me të cilin përballemi.
Pollo theksoi se Ministria e Brendshme do të njoftojë për eliminimin e dublikatave dhe mbi këtë bazë do të dalin lista zgjedhore të sakta.
“Ka qenë bashkëpunimi i kryetarëve të komunave dhe bashkive, një pjesë e mirë e tyre socialiste, për të realizuar këtë proces me saktësi dhe besueshmëri dhe reagimi i këtyre komunave dhe bashkive socialiste është një model shumë i mirë, që duhet ndjekur dhe nga  partia në qendër. Ka mënyra të tjera për të bërë të sigurt që ky kontingjent zgjedhësish të pajisen deri në qershor të këtij viti; pasi edhe  shtrirja jashtë Tiranës  e aplikimeve do fillojë shumë shpejt. Njoftoj që, kryesorja nuk janë komunat dhe qytetet e vogla. Sfida më e madhe për koncesionarin dhe për e zyrat e  gjendjes civile, Ministria e Brendshme e bashkitë përkatëse, janë qytetet e mëdha. Është Tirana, ku ka filluar të shumëfishohen dhe forcat e aplikimit dhe së shpejti do vijohet me Durrësin,Vlorën, Shkodrën me Elbasanin dhe me Korçën. Do ishte shumë mirë që komisioni parlamentar ad hoc me përfaqësues dhe nga opozita të bënte vizita të tilla, të komunikonte me zyrtarët tanë, të vizitonte Zyrat e Gjendjes Civile, të fliste me kryetarë bashkie dhe minibashkie të shikonte vetë Qendrën e Personalizimit të menaxhuar nga Koncesionari franko-amerikan ndoshta të vizitojë dhe Hamburgun në Gjermani ku prodhohet pasaporta apo Holandën ku prodhohet letërnjoftimi sepse vërtet po të shkojnë vetë atje do të mësojnë nga ekspertë neutralë objektivë se dokumentet tona janë më të mirat që ka Evropa, jo se ne jemi detyrimisht më të mirët por sepse kemi fatin që aplikojmë teknologjinë më të fundit dhe kemi dokumentet më të mira sot për sot. Jam i sigurt që kjo përshëndetet nga gjithë qytetarët e këtij vendi, dhe shpresoj dhe nga opozitarët e këtij vendi gjithashtu, të ndodhë një gjë e tillë. Më mirë vonë se kurrë”, tha zëvendëskryeministri Pollo.
Zëvendëskryeministri iu referua edhe propozimin e partisë Socialiste, për një komision ad-hoc për të ndjekur shpërndarjen e letërnjoftimeve, çka u përsërit dhe dje dhe nga deputetët socialistë në Kuvend. Ai theksoi se kjo tashmë është miratuar nga mazhoranca pasi çdo masë që ngjall besimin te ky proces, çdo masë që përfshin në mënyrën e duhur edhe opozitën, duhet ndërmarrë.
“Por ky propozim i PS, mendoj që këtë parti e sjell në kohën reale të çështjes së Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, të numrit  të identitetit për çdo qytetar, të dokumenteve  personale që rrjedhin prej tij si letërnjoftimet, pasaportat apo dokumente të tjerë listat e zgjedhësve, data-base institucioneve të tjera që do të koordinohen me këtë data-base qendrore të shtetit, që është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe që për herë të parë organizohet në këtë mënyrë unike dhe elektronike”, tha Pollo.
Gjithashtu Pollo solli në vëmendje edhe paaftësinë e qeverisë socialiste, pasi gjatë 8 viteve nuk qe në gjendje të nisë procesin e prodhimit të kartave të identitetit, por përkundrazi, humbje fondesh dhe fiktivitet e institucioneve përgjegjëse.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›