E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siria, tema kryesore e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme

Nesër udhëheqësit botërorë mblidhen për takimin e tyre të përvitshëm në Kombet e Bashkuara në New York. Këtë vit, konflikti në Siri, do të jetë tema kryesore e bisedimeve dhe punimeve të kësaj asambleje.

Ndërsa Kombet e Bashkuara po përgatiten për takimin e udhëheqësve nga e gjithë bota në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, udhëheqësit vetë po përgatiten që të diskutojnë për krizën e vazhdueshme financiare në Evropë, dhe për konfliktet e armatosura në Afrikë dhe Siri.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, u tha gazetarëve se dhuna në Siri, ku më shumë se 20 mijë njerëz kanë gjetur vdekjen dhe miliona të tjerë kanë nevojë për ndihmë humanitare, do të jetë në vëmendjen e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme.

“Do të kem takime dypalëshe me më shumë se 120 udhëheqës. Siria është në krye të takimeve dhe besoj se është prioritet për secilin prej udhëheqësve pjesëmarrës, ndaj ne do ta shtrojmë urgjentisht këtë çështje”, tha Ban.

Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim të nivelit të lartë me Ligen Arabe, e cila do të hapë bisedimet për Sirinë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, do të drejtojë një takim për situatën humanitare në Siri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›